Dy trupa të dekompozuar në Vlorë e Librazhd, identifikohet vetëm njëri
Trupi i dekompozuar i një 61-vjeçari, i cili ishte shpallur në kërkim nga policia rreth dy javë më parë, u gjet të dielën në pyllin e fshatit Beshisht të Vlorës. Policia lokale bëri të ditur se, pas sinjalizimit për gjetjen e një kufome, ekspertët e saj shkuan në vendin e ngjarjes dhe bënë të mundur identifikimin. Trupi i pajetë i përket shtetasit S.V, 61 vjeç, banues i fshatit Beshisht. Dyshohet se vdekja e të moshuarit ka ardhur si pasojë e shkaqeve natyrore. Sipas asaj që ka konstatuar paraprakisht mjeku ligjor, në trupin e 61-vjeçarit nuk janë vërejtur shenja dhune, ndërsa nga deklarimet e familjarëve të tij mësohet se S.V. vuante nga shëndeti mendor. Nga policia e Vlorës, 61-vjeçari ishte shpallur në kërkim, pasi dyshohej se më 15 prill të këtij viti kishte plagosur me thikë bashkëshorten e tij.
Një ditë më parë u gjet në fshatin Babje të Librazhdit nga banorë të zonës, i hedhur në një përrua,një tjetër trup i dekompozuar. Skena horrori terrorizuan fshatin, pasi trupin e dekompozuar e zbuluan më parë qentë e fshatit. Mendohet se trupi i përkiste një vajze që mund të jetë vrarë disa muaj më parë. Por nga fshati Babje nuk ka asnjë vajzë të zhdukuar apo të humbur kohët e fundit, çka dyshohet se vajza mund të jetë vrarë në një zonë më të largët dhe është sjellë pas vrasjes për të hedhur në një përrua të fshatit Babje.
KOHA JONË SONDAZH

