Dy veriorë fushatë në Himarë!

Nga Agron Gjekmarkaj-

Rrëfenjë e shkurtër patriotizmi të ndezur për duelin ndërmjet Gjikurisë dhe Tavos!

Si dy “panepirotë të ndezur”, unë lezhjan me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe dhe Flamur Noka nga Novosela e Kukësit, ja behem në Himarë! Medemek ne qenkemi gushëbardhë e jo gushëkuq?!

Rrugës mu kujtua shakaja e Hilë Mosit, kur tek sekretari i tij Jorgo, në ministrinë e Arsimit paraqitej herë njëri e herë tjetri si patriot i ndezur, i flaktë, i zjarrtë dhe ai nga frika mos i merrte flakë binaja e Ministrisë i thotë Jorgos, aman bëji shurrën ministrisë se do na digjet e mbesim batall.

Një i tillë adet duhet dhe për ata që na bënë ne “panepiriotë të ndezur”, megjithëse shkuam për të mbeshtetur shqiptarin nga Dhërmiu Petro Gjikuria, ish i persekutuar politik qysh në 1945 dhe nënshtetas amerikan, si kantidat i Opozitës për Bashkinë e Himarës.

Nëse do ishte grek prapë njësoj, mjafton të jetë i pa vese dhe i ndershëm.

Se ne nuk jemi nazistë që i ndajmë grekët si dikur, hebrenjtë me yllin e verdhë të Davidit në krah, por shqiptar që mburremi me të drejtë për vlerat e bashkëjetesës e harmonisë për besë e bujari!

Nashi edhe për standarde demokratike e të drejta robit!

Në parim birinxhi po yçklat nuk kanë të sosur!

Aferim do thotë ndonjë deri ketu!

Petet e lakrorit hapen më vonë.

Pas reagimeve fillova të ndihem në ankth! Mos jemi gjë në lufte me Greqinë dhe po ndihmojmë ushtritë pushtuese?!

Kufijtë na i rrezikon gjë? Në NATO a jemi bashkë? Qiejt tanë, a i mbrojnë avionët grekë? A i kemi andej 700-800 mijë shqipo që të marrin gjak në vetull me një e dy pasaporta? Mos po na marrin Himarën me buldozer dhe e çojnë në Kretë? Ndofta heronj të revolucionit a qenë arvanitas?

Zoti nuk me la më kaq!

Me Flamur Noken shkuam në Borsh për të takuar një tahmaqar të punëve të kombit!

Evlati kishte qënë patriot i madh. Na dha një leksion të mirë atdhedashurie sa mu duk vetja tradhëtar në sherbim të Greqisë! Gjynah që nuk na rrahu paq, ku na dhëmb e ku na djeg! Një dajak do na bëhej mësim.

Nga biseda me të mësova sa shumë e urreja Shqipërinë dhe sa e doja Greqinë. Unë kam mbështetur Fredi Belerin tha që është shqiptar se Beleri emër grek s’ka , por  hiqet si grek! E kapa shpejt, u distancova sapo pas fitores kënduan këngën e Spiro Milos. Aty ishte derdhur shishja, s’kishte mbajtur më.

Po e shihja me admirim teksa mendoja nuk se shprishet jo gjaku i arbërit. Ky më dukej si pasardhës i luftëtarve legjendarë të Sopotit që as shitej as blihej, po fli ama bëhej për dhe të vet!

Petro Gjikurinë tha nuk e mbështes se është pjesë e lobeve greke kundër Shqipërisë dhe Himarës, bën pjesë tek një shoqatë. Nuk ja prisha qejfin ti tregoja që edhe prifti Karavella që doli në resme, Kryeministri ynë kur kërkonte vaksinat Pfizer bën pjesë në të njëjtën, madje Petrua me dorë të tij u kishte bërë resmen! Madje edhe Karluço, këshilltar i Trampit po aty. More  i uruar i thamë, është shqiptar por edhe sikur të ishte grek, se fjala grek nuk është fjalë e pistë, na ke dëgjuar tek themi jemi vëllezër, jemi gjitonë! Ai nëse është “grek” nga Himara vendali, jo nuk e mbështes po i eksportuar nga grekët e Dropullit po! Himara ka luftuar kundër Osmanëve, ka nxjerrë kanun e kapedanë e meriton një bir të vetin.

Unë jam nacionalist tha, e dua vatanin dhe do votoj Vangjel Tavon. U habitëm vallahi.

Po ay është greku i vërtetë i thamë, se ka mohuar kurrë edhe pse zëvëndësi i Goros në krah të tij në fshatrat e Lumit të Vlores ka thënë, të votojmë Tavon që të mos flitet më greqisht në Himarë.

Medet, po si ta privojmë Tavon nga gjuhë e nënës?

S’ka gjë, gugati ai e ka tradhëtuar Greqinë ndaj e dua, Petro shqiptari që bën lojën e grekut haram i  qoftë, Vangjo greku që bën lojën e Shqipërisë hallall i qoftë.

Aty me lindën disa pikëpyetje! Po si, po qysh do renegatet, atdhemohuesit megjithëse se di nëse Tavo është i tillë?! Shumë, shumë ka mohuar Ilir Metën e LSI dhe ka harruar akuzat ndaj Ramës kur ishte kantidat për deputet se nuk lejonte emigrantët të kalonin kufirin për ta votuar po kaq! Kjo është pako gjë!

Kur pa mbaruar llafin, aty ja behu vetë Vangjua me një sejmen nga pas. Erdhi e ngjatetoi posaçërisht patriotin e nga pak dhe ne të tjerve!

Qerratai! Dola prej aty i berlykur. Desh ja dhashë vajit. Flamuri me tha mbahu, je axhami në punë patriotizmi e s’duhet të nxehesh! Sevdaja për Atdhe mësohet ku nuk ta pret mendja! Si ka thëne Lame Kodra “ e dua Shqipërinë për një stan në Trebeshinë”! Ja, ky ështe bari i interesave kombëtare dhe i këtij stani me bulmet.

U ndjeva i pagdhendur. Tjetri pa asnjë interes për idealizëm të pastër, pa asnjë ofertë, me zë të qeruar në emer të nacionalizmit, i bër tel i skuqur nga inati për këngët kushtuar Spiro Milos të 1914, e kishte bërë hasha shqiptarin Petro në emër të patriotit Shqiptar, minoritarit grek Vangjel!

Mejtova ta shkruaj këtë rrëfenjë se me la pa mend e gojë e nuk po ja gjej fillin!

Mbase ndokush më ndihmon të kuptoj?!!

  • Titulli është i redaksisë

SHKARKO APP