Tmerr në Berlin,kamioni shtyp kalimtarët. Sulm terrorist me viktima
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një treg në Berlin, ku një kamion raportohet të jetë futur mes turmës së njerëzve.
Mediat gjermane raportojnë se ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit, në një treg krishtlindjesh. Raportohet për të paktën 12 persona të vdekur, ndërsa mbi 48 të tjerë kanë mbetur të lënduar, por ende nuk dihet me saktësi numri i tyre. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie. Mediat gjermane raportojnë se bëhet fjalë për një sulm terrorist.
Policia tha se dyshon se kamioni është përplasur qëllimisht për turmën, raporton BBC. Tregu ndodhet në Breitscheidplatz, pranë kishës Kaiser Wilhelm.
Video të publikuara online nga vizitorët e tregut shfaqin kamionin e ndaluar mes tezgave dhe një vazhdë shkatërrimi pas tij.
Zëdhënës të policisë gjermane thanë se po kërkojnë drejtuesin e mjetit, i cili konsiderohet në arrati. Situata është ende e paqartë, ndërsa me dhjetëra makina policie dhe ambulanca janë në vendngjarje.