Dyshohet se pamjet te lokali “Viva” u regjistruan nga Mark Frroku, sigurohen sendet e sekuestruara

Prokuroria e Përgjithshme dërgoi një përfaqësues të saj në spitalin ku ndodhet deputeti Mark Frroku për ta njohur me akt ekspertimin e sendeve të gjetura në shtëpinë e tij. Oficeri i Prokurorisë së Përgjithshme Arjan Muça ka qenë i shoqëruar edhe nga 2 avokatët e Mark Frrokut. Ndërkohë Ora News siguron sendet që i janë sekuestruar në banesën e deputetit ditën e arrestimit. Flitet për një  orë kamera, telefon, laptop, stilolaps kamera. Gazetarja e Ora News Anduena Llabani e cila ndoqi zhvillimin e ngjarjes, duke iu referuar burimeve nga organi i akuzës, informoi sot paradite se pretendohet se përmes njërit prej këtyre objekteve janë xhiruar dhe disa pamje nga lokali “Viva”. Sipas pretendimeve të deputetit Tom Doshi në këtë lokal është përgatitur dhe skenari i vrasjes së tij dhe deputetit Mhill Fufi. “Deputeti refuzon të përgjigjet pa u njohur me akuzat. Sot ishte një seancë komunikimi i akteve të ekspertimit.  Por për momentin interesohemi për gjëndjen shëndetësore të klientit pasi është e rëndë” thanë avokatët Saimir Visha dhe Genc Gjokutaj në përfundim të seancës së njohjes me aktet e ekspertimit në spitalin privat ku Mark Frroku ndodhet i shtruar prej dy ditësh, pasi la ambientet e paraburgimit në 302.  Pritet që javën e ardhshme prokuroria tu komunikojë akuzën dy deputetëve dhe Durim Bamit, të cilësuar nga Doshi, si “vrasësi i penduar” Dhe dosja të shkojë në Gjykatën e Lartë. Sipas avokatëve Mark Frroku do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje në zemër.

SHKARKO APP