Dyshoni se punëdhënësi nuk ju paguan sigurimet? Ja adresa ku ta verifikoni
Nëse kemi paqartësi dhe nuk jemi të sigurtë nëse punëdhënësi na ka paguar sigurimet, tashmë na vjen në ndihmë një faqe ku mund ta verifikojmë online nga kompjuteri. Ky shërbim ofron të dhëna duke filluar nga muaji dhjetor i vitit 2011.
Tatimet, në bashkëpunim me “e-Albania”, mundësojnë në faqen e tyre të internetit të e-Albania verifikimin online të pagesës së sigurimeve për punëmarrësit. Punëmarrësit, në të gjithë vendin, mund të verifikojnë online nga kompjuteri nëse pagesa e kontributit të sigurimeve shoqërore është bërë në mënyrë të rregullt nga punëmarrësi.
Shërbimi elektronik “Deklarimi dhe pagesa e kontributeve nga punëdhënësit” u mundëson qytetarëve të marrin informacion online rreth kontributeve të deklaruara dhe paguara (https://e-albania.al/sherbimi.aspx?kodi=4429). Për të aksesuar informacionin rreth sigurimeve, duhet dokumenti i identifikimit të përdoruesit, karta e identitetit ose pasaporta biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portalin e-Albania).
Hapat e procedurës
– Regjistrohuni si qytetar në portal.
– Zgjidhni shërbimin “Deklarimi dhe pagesa e kontributeve nga punëdhënësit”.
– Vendosni datën e fillimit dhe datën e përfundimit të periudhës mbi të cilën dëshironi të informoheni dhe klikoni butonin “Afisho”.
Pas këtyre veprimeve, në ekranin e kompjuterit shfaqen menjëherë të dhënat. Të interesuarit e marrin këtë shërbim pa asnjë pagesë në çdo kohë. Paga minimale mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, është 22 000 lekë dhe paga maksimale mujore është 97 030 lekë.
Kontributi për Sigurime Shëndetësore në Shqipëri është 3.4%, ndërsa Kontributi për Sigurime Shoqërore është 24.5%. Punëdhënësi paguan 16.7% të kontributeve, ndërsa punëmarrësi paguan 11.2% të kontributeve.
Në vite ka rezultuar se ka kompani, që ndonëse u kanë mbajtur kontributet nga paga punonjësve të tyre, nuk i kanë derdhur ato për llogari të shtetit, duke rezultuar debitore.

