E enjte, Partia Demokratike drejt 21 Janarit të dytë?

Zhurma e shkaktuar nga akuzat e deputetit Tom Doshi, thirrja për protesta e opozitës, tensionimi i skajshëm i situatës politike dhe gjuha vrasëse e politikanëve ka sjellë para shqiptarëve një skenar të njohur, 21 Janarin e vitit 2011. Si në një “deja vu” janë të gjithë elementët e një historie që të gjithë tashmë e njohin mirë. Një deputet që del nga rreshtat e mazhorancës dhe lëshon akuza ndaj drejtuesve kryesorë të qeverisë. Një video e dyshimtë që qarkullon prej ditësh në media dhe rreket të rrëzojë gjithë sistemin. Akuza për vrasje, komplot, puç shtetëror që përfshijnë Kryetarin e Parlamentit, Kryeministrin, Prokurorin e Përgjithshëm dhe gjithë zinxhirin drejtues të Ministrisë së Brendshme. Shkurt, një situatë ku njerëzve u serviret një skenar ku shteti nuk është në krah të tyre, por një kupolë mafioze që planifikon vrasje dhe atentate me tritol. Pa pritur asnjë verifikim të akuzave, opozita kap rastin për të nxjerrë njerëzit në rrugë. PD-së nuk i intereson nëse historia e Tom Doshit është e vërtetë apo një sajesë. PD-së i intereson fryma që kanë mbjellë në opinion me akuzat e fryra, edhe me ndihmën e saj. PD ka të drejtë për njëmijë gjëra të tjera, porse në këtë rast ka nevojë të priste vendimin e drejtësisë. Ngutja të çon tek një skenar i njohur; tek përplasja. E enjtja do të jetë një nga protestat më të mëdha të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj. Një miting që motivin çuditërisht e ka si ai i 4 viteve më parë, largimin e Ilir Metës. Ndryshimi është se këtë herë kundër tij janë aleatët e dikurshëm,PD. Gjuha e përdorur nga deputetët e opozitës për këtë miting është afër asaj të Partisë Socialiste katër vite më parë. Ish-kryeministri Sali Berisha, mbrëmjen e djeshme, teksa pritej që të konfirmonte nëse do të jetë të hënën në Prokurori, u bëri thirrje mbështetësve të PD-së dhe qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e datës 12 mars në Tiranë. Sipas tij, vendi është si në situatën e vitit 1991, kur diktatura komuniste nuk ishte rrëzuar ende. Mesazhi ishte i qartë, protesta e së enjtes duhet të jetë jo kundër mazhorancës, por sipas tij “kundër dikaturës”.  Berishës duket se nuk i intereson zbardhja e së vërtetës, në të kundërt s’do kishte humbur kohë për të shkuar në Prokurori. Më shumë sesa e vërteta, i intereson marrja e pushtetit dhe thirrja e djeshme drejtuar demokratëve ishte për rrëzimin me forcë të qeverisë. Nëse sheh thirrjen e Berishës për tubime masive dhe përdorimin e situatës për të krijuar tension, forcohet edhe më shumë bindja se gjithë historia po ngjan me janarin e vitit 2011. Drejtuesit lokalë të degëve të Partisë Demokratike janë porositur të mbushin sheshin përballë Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit. Protesta e së enjtes, ndryshe nga ajo e disa muajve më parë, duket se nuk do të jetë paqësore. Veç kryetarëve të degëve që ka takuar kreu i PD-së, Lulzim Basha, për të sjellë sa më shumë njerëz, Berisha ka zhvilluar takime me emra të tjerë të PD-së. Është i njëjti kontingjent protestuesish që dikur mbështeste Sali Berishën në protestat e viteve 1998-2000. Prej disa muajsh, PD-ja është investuar në një aksion denigrues ndaj forcave të rendit, duke i cilësuar si të korruptuara dhe të dhunshme. Kjo mëri e demokratëve ndaj policisë, që për ata është e mbushur me kriminelë dhe me tepelenasit e ministrit Tahiri, në shesh mund të përkthehet në një përplasje reale dhe me pasoja. A nuk nisi 21 Janari vetëm me përplasjen e një grupi të vogël protestuesish me forcat e rendit? Mjafton vetëm një shkëndijë e vogël dhe situata përsëritet. PD-ja duket se po investohet në këtë drejtim. Mbetet vetëm që Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm të mos bëjnë gabimet që bënë paraardhësit e tyre, qoftë edhe duke qëndruar në ndërtesën e Kryeministrisë.Informacione të besueshme thonë brenda selisë së PD-së se turma do të lihet e lirë të “përplaset me krimin në pushtet”. Pra konflikt! Bile mësohet se do ta drejtojnë turmën drejt Kryesisë së Parlamentit, aty ky ka zyrën Ilir Meta.

Gjithë aksionin opozitar të më shumë se një viti e gjysmë, PD-ja po e grumbullon në një histori që gjasat janë të jetë sajesë, ndonëse akoma Prokuroria nuk ka folur përfundimisht. Klima politike, gjuha e përdorur dhe vetë akuzat për vrasje kanë më shumë efekt sesa qëndrimet e tjera. Berisha, nisur dhe nga ato që tha dje, po përgatitet për një përplasje të ashpër. Aq më tepër, që në këtë histori është dhe emri i tij përballë drejtësisë. E vetmja gjë që mund ta ndalojë është nëse në PD ka mendje të ftohta që ta kuptojnë se kjo nuk është një protestë e opozitës, por një protestë e Berishës për vete dhe për Tom Doshin, thonë burimetë rezervuara në PS.

Por mësohet se Ministria e Brendshme dhe Prokuroria ka mundësi të ndalojnë djalin e ish-kryeministrit Berisha, Shkelzenin për disa afera. Por një të bën të përshtypje se përse duan ta ndalojnë tani , nëse kishin fakte, e jo para një viti?! Kjo do ta komplikoj më shumë situatën ditën e enjte mes Opozitës dhe Policisë. Këtë rradhë, nëse nuk ndërhyn prerë e fuqishëm ambasadori amerikan në Tiranë që të therrasë Bashën dhe Berishën që protesta të mos ketë synim përmbysje me dhunë të pushtetit dhe të përplasjes mes turmës e policisë me synim futjen në selinë e Qeverisë dhe të Kryesisë së Kuvendit, atëhere ditën e enjte do të kemi një Tiranë krejt tjetër ku do dëgjojmë sirena policie e ambulancash.

Ndaj edhe Prokuroria ka nevojë të intensifikojë hetimet për çështjen në fjalë, pasi krijohet ideja mbi bazën e fakteve, edhe të ditës së henë, se kush e fajin; ka patur plan për vrasjen apo gjithçka e sajuar. Prokuroria është institucion i pavarur, porse jo i pavarur nga jeta në Shqipëeri që do të thotë as Prokurorisë nuk i duhet një destabilitet që po përgatitet e ngritur mbi një akuzë.

E enjta do të tregojë se sa e pjekur është klasa politike dhe sa  policia e Shtetit do t’ia dalë që të mos përplaset me turmën për të krijuar ndonjë datë të dytë të dhimbshme.

SHKARKO APP