E gjithë Shqipëria nën ”pushtimin” e borës, Ministria e Mbrojtjes: Ditët në vijim do ketë ngrica
E gjithë Shqipëria është e veshur nga bardhësia e borës, por Ministria e Mbrojtjes përmes një postimi zyrtar, bën me dije se në ditët në vijim do të ketë edhe ngrica.
Njoftimi i plotë
I gjithë territori i vendit tonë ditën e sotme është mbizotëruar nga reshje shiu me intensitet mesatar dhe me reshje dëbore. Si rezultat i reshjeve të borës në disa qarqe të vendit kemi pasur problematika në disa akse rrugore. Ditët në vijim pritet mot i kthjellët, por për shkak të temperaturave të ulëta do të ketë ngrica në rrugë.
Ditën e djeshme si rezultat i reshjeve të borës është bllokuar aksi rrugor Milot-Lezhë. Situata ishte shumë e vështirë pasi 2 kamionë ishin përplasur me njëri-tjetrin dhe ishte e pamundur qarkullimi i mjeteve. Është organizuar puna me forca dhe mjete si dhe batanije dhe karburant për automjetet e bllokuara në këtë aks rrugor. Pas një pune të gjatë aksi rrugor është hapur me vështirësi në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme dhe ka filluar qarkullimi i mjeteve.
Si pasojë e reshjeve të borës, ditën e djeshme ka pasur bllokim të aksit rrugor Elbasan- Librazhd. Në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë së shtetit dhe firma kontraktore të cilët kanë punuar për normalizimin e situatës. Nga informacioni i marrë sot në mëngjes aksi rrugor është i kalueshëm pjesërisht me zinxhirë.