E mbante peng i dashuri shqiptar, italiania me dy fëmijë hidhet nga makina për të shpëtuar
Një vajzë e re është parë nga kamerat rrugore të policisë italiane, teksa hidhej nga makina në parkimin e ndodhur në outletin e madh në Castel Romano. Ajo tentonte t’i shpëtonte dhunës dhe rrëmbimit të ish të dashurit të saj, shqiptarit 30 vjeçar M.M.
Viktima është një grua italiane 28 vjeçare, nënë e dy fëmijëve, e cila është dhunuar në mënyrë të rregullt prej të mërkurës së shkuar deri të premten në Foligno, mes Sienës dhe Romës.
Mediat italiane shkruajnë se ajo është mbajtur në një apartament dhe është dhunuar si fizikisht edhe seksualisht për tre ditë me radhë nga i dashuri shqiptar.
Ky i fundit thuhet se qëndronte në mënyrë jo të rregullt në shtetin italian dhe është një person i njohur nga policia fqinje e në veçanti, nga ajo e Perugias.
Ditën e premte, duke përfituar nga një udhëtim në Romë, ku duhej të shoqëronte personin që e mbante të burgosur, 28 vjeçarja ka gjetur forcën për t’u hedhur nga makina e për të kërkuar ndihmë, teksa ndodheshin në parkimin e një outleti.
Shqiptari ka arritur ta kapë sërish italianen dhe e ka dhunuar me shpulla e shqelma, duke e detyruar atë të hipte në makinë.
Ka qenë ndërhyrja e disa kalimtarëve dhe rojeve të sigurisë, ata që kanë mundur të shpëtojnë vajzën nga duart e 30 vjeçarit.
Pas ardhjes së policisë, vajza u dërgua në spital, ku u vërtetuan abuzimet seksuale dhe dhuna fizike. Ndërkaq, shqiptari ishte larguar nga vendngjarja.
Falë pamjeve filmike policia ka arritur jo vetëm të ketë dëshmi të dhunës së ushtruar ndaj 28-vjeçares, por ka identifikuar modelin e makinës që përdorte shqiptari si dhe targën e saj.
Ai është kapur disa orë më pas dhe u dërgua në burgun Spoleto, ku do të qëndrojë deri sa të zhvillohen seancat gjyqësore në ngarkim të M.M.
KOHA JONË SONDAZH

