E ngatërroi me ujkun, bariu plagos aksidentalisht gjahtarin
Një gjahtar në Sarandë mbeti i plagosur me armë zjarri pasditen e sotme.
Ngjarja mësohet se ka qenë aksidentale. Ai është qëlluar me armë gjahu nga një bari, pasi ky i fundit ka dyshuar se është ujk.
I plagosuri Shyqiri Saliaj 63 vjeç nga Ksamili po merr trajtim mjekësor në spitalin e Sarandës.
“Në lagjen nr.2 Sarandë pranë vendit të quajtur “Antenat”, shtetasi Xh.M., 63 vjeç, banues në Ksamil, ka plagosur me armë gjahu “çifte” shtetasin Sh.S., 63 vjeç, banues në Ksamil.
Dyshohet se ngjarja ka ndodhur aksidentalisht pasi shtetasi Xh.M ka menduar se ka patur përballë kafshë të egër” njoftoi policia.
Burime nga bluzat e bardha bëjnë me dije se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë në Vlorë, rreth orës 10:54, në Spitalin e Vlorës ka shkuar i dëmtuar me mjet prerës shtetasi E.Sh., 32 vjeç, banues në Vlorë, i cili po merr ndihmë mjekësore.
Dyshohet se 32 vjeçari është plagosur në ambientet e një bilardoje në lagjen “Isa Boletini” Vlorë.
Grupi hetimor po kryen hetimet përkatëse për zbardhjen e ngjarjes si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit.