E pazakontë, 34-vjeçari denoncon vjedhjen e skafit që kishte ankoruar në liqenin e Shkodrës

Policia vendore njoftoi se mori denoncimin ditën e djeshme dhe nisi hetimet për gjetjen e mjetit lundrues dhe autorëve të vjedhjes. Ka dhe dyshime se u mor për qëllime të paligjshme.

Persona të paidentifikuar ende dyshohet se kanë vjedhur një mjet lundrues skaf, që ishte në pronësi të një 34-vjeçari në Shkodër dhe ishte parkuar në zonën e liqenit.

Ngjarja u denoncua ditën e hënë (9 shtator) nga pronari me inicialet A.D., i cili kërkoi ndihmën e policisë vendore për gjetjen e mjetit. Ai tha se nuk e dinte kush ishin autorët dhe kur ka shkuar te vendi ku ndodhej nuk e gjeti skafin.

Policia konfirmoi ngjarjen dhe sqaroi se “po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”. Referuar edhe precedentëve të shkuar, ka dyshime të forta se mjeti mund të jetë vjedhur për qëllime të paligjshme, transport lëndësh narkotike apo klandestinësh.

Materialet për rastin i kaluan prokurorisë vendore për veprime të mëtejshme, teksa po mblidhen dëshmi dhe është njoftuar gjithashtu Roja Bregdetare dhe Kapiteneritë nëse e hasin në det apo ujërat territoriale.

SHKARKO APP