E zhdukur në Lezhë, policia e gjen të martuar në Tiranë

Një vajzë në moshë të re, ende pa mbushur mirë vitet e adoleshencës, ishte shpallur në kërkim nga policia e Lezhës prej ditësh, pas denoncimit të prindërve të saj. Por 20-vjeçarja është gjetur disa ditë më pas në Tiranë, madje e martuar, sipas të gjitha procedurave që kërkon edhe ligji.  Policia e Tiranës bëri të ditur sot se, edhe pse e ka ndalur shtetasen me iniciale D.P., 20 vjeçe, nuk ka mundur dot ta dorëzonte atë në shtëpi, pavarësisht denoncimit dhe faktit se ishte shpallur në kërkim nga policia e Lezhës për “largim nga banesa”. Vajza është shoqëruar fillimisht në policinë e kryeqytetit. Aty 20-vjeçarja ka dhënë shpjegimet përkatëse ku deklaroi se me dëshirën e saj ishte larguar nga shtëpia në qytetin e Lezhës për të ardhur në Tiranë, ku është njohur dhe është martuar me shtetasin me iniciale E.D., banues në kryeqytet. Për të vërtetuar dëshminë e 20-vjeçares se ishte e martuar, agjentët e policisë kryen verifikimet e duhura në gjendjen civile përkatëse. Sipas policisë rezultoi se të dy të rinjtë kishin kryer të gjitha veprimet zyrtare për martesën e tyre.  Në këto rrethana policia e kryeqytetit e la vajzën të lirë dhe informoi policinë e Lezhës që të kontaktonin prindërit e saj, për t’i informuar se vajza e tyre është gjetur, por veçse pas largimit ka ndryshuar statusi i saj i gjendjes civile, dhe tashmë si e martuar, policia nuk mundet ta kthejë dot më në shtëpi.

SHKARKO APP