Edhe kjo fundjavë e mbyllur. 40 orë në izolim
Si fundjava e shkuar, edhe kjo e shtunë dhe e dielë do të kalojë në izolim total, pra 40 orë izolim. Nga ora 13:00 e ditës së nesërme (e shtunë 28 mars), dhe deri të hënën në orën 05.00 të gjithë do të qëndrojnë në shtëpi dhe të gjithë qepenat do të jenë mbyllur. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama njofton se nga e hëna askush nuk del dot më në pazar, pa marrë lejen digjitale me e-mail ose telefon në emër të familjes.
“Gati aplikacioni online ose me sms për leje-daljen e vetëm një personi nga familja për të bërë pazar. Pas pak do të bëjmë prezantimin e aplikacionit që është shumë i thjeshtë dhe nga e hëna e deri në mbarim të luftës, do të jetë e vetmja rrugë për të dalë nga shtëpia në Tiranë e në qendrat urbane”.
Aktualisht në Shqipëri janë 186 persona të infektuar, prej tyre 8 kanë humbur jetën dhe 31 janë shëruar. 77 pacientë ndodhen në spitalin infektiv, 5 janë në terapi intensive.