Edi Rama: Dy shtete një hapësirë

Fjala e Kryeministrit Rama në ceremoninë e inaugurimit të zyrës së përbashkët doganore Shqipëri-Kosovë:

I nderuar Kryeministër,

Të nderuar ministra,

Zonja dhe zotërinj, përfaqësues të të dyja administratave doganore!

Sot është një ditë e shënuar, sepse hedhim një hap të rëndësishëm përpara drejt bashkimit të synuar doganor. Është një ditë e shënuar, sepse i japim fund një kapitulli vonesash, pengesash, nganjëherë dhe zvarritjesh për sipërmarrjen që punon në të dy anët e kufirit dhe që ka nevojë për këtë pikë shërbimi jo për t’u vonuar, por për ta pasur si pikë kalimi, pa asnjë ngarkesë kohe dhe burokracie. Nga sot nuk janë më dy ditë, e nganjëherë më shumë se dy ditë, vonesat për të kaluar mallin nga njëra anë në tjetrën, por mjaftojnë vetëm 5 minuta. Që kufijtë janë pika bashkimi dhe jo vija ndarjeje, hapësira mundësish dhe jo mundësi për pengesa të shtuara, kjo ka qenë bindja jonë që kur u angazhuam në një bashkëudhëtim përtej kufijve për bashkimin kombëtar dhe europian me Kosovën.

Përballë kësaj bindjeje dhe hapave të hedhur ka pasur shumë vështirësi dhe ka pasur dhe shumë skeptikë që për shkak të pengesave të pakapërcyera në vite, vite të tëra politike turbofolku nacionalist, na rikujtonin vijimësisht se mes të thënës dhe të bërës është një det i tërë, sipas tyre, i pamundur për t’u kapërcyer, sipas nesh, jo vetëm i mundur, por tani më, hap pas hapi i kapërcyeshëm. Ashtu siç mund të ketë pasur dhe shumë të tjerë që mendonin se kjo bindje e jona mund të ishte më shumë një retorike patriotike sesa një politikë publike, apo më shumë një politikë e vjetër për të mbledhur simpati dhe vota patriotësh sesa një reformë e thellë dhe një plan për të fshirë vijat ndarëse dhe për të fuqizuar pikat e bashkimit.

E ja ku jemi sot, në një nga ato ditë kur materializojmë një pjesë tjetër të gjithë atij mozaiku që kemi përcaktuar në mbledhjen mes të dyja qeverive në Prizren, në ditën kur tranziti i mallrave mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk është më tranzit ndërkombëtar, siç konsiderohej deri më dje, por është bashkim i zyrës doganore, faktikisht, një zyrë e vetme doganore për të dy vendet tona. Nuk është kosto e dyfishtë kohe dhe as kosto e dyfishtë parash, nuk është dy lloje garancish dhe disa lloje procedurash, por është një procedurë e vetme në një rrjet të dhënash dixhitale, që përbashkon në një rrugë dy sistemet e të njëjtës gjuhë.

Faktikisht, nga sot, Porti i Durrësit, për të gjitha mallrat që vijnë në Durrës për të shkuar në Kosovë, është pika e vetme e kontrollit dhe mjafton procedura në Durrës për të mbërritur në Prishtinë, në Prizren, në Gjakovë dhe kudo tjetër, pa qenë nevoja për të rindaluar dhe për të rifilluar procedurat dhe këtu.

Ky është një proces në vazhdim, sepse ne po punojmë bashkë me qeverinë e Kosovës në fushën e sigurime, që garancia e dhënë në territorin doganor të Shqipërisë të jetë e vlefshme në territorin donator të Kosovës dhe anasjelltas. Ndërsa në 2 shkurt u lidh edhe kontrata për të zgjeruar rrugën hyrëse në doganën e Morinës, çka do të bëjë që jo vetëm për sipërmarrjen, por edhe për ata dhjetëra mijëra shqiptarë të Kosovës që kalojnë në këtë pikë, veçanërisht në kohën e verës, të mos ketë më asnjë dallim dhe asnjë pengesë. E, për më tepër, siç e kam komunikuar me mikun dhe kolegun Isa Mustafa, gjatë periudhës së verës këtë vit do të fillojë një regjim tërësisht i ri në këtë pikë, ku nuk do të ketë më kontrolle një për një të veturave dhe të mjeteve të tjera, me të cilat familjet e Kosovës vijnë në Shqipëri për të kaluar pushimet. Por do të ketë një kontroll të rastësishëm dhe një kontroll shumë të relaksuar, për të bërë të mundur që kjo të jetë një vijë kalimi dhe jo një pikë kontrolli. Nga ana tjetër, me mbështetjen e Bashkimit Europian, tanimë jemi gati për të ndërtuar edhe doganën e përbashkët Morinë-Vermicë.

Për më tej, në fushën e bashkëpunimit ekonomik është në fuqi tanimë, marrëveshja për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal, si dhe heqjen e TVSH-së për librat.

Deklarata e përbashkët e mbledhjes së parë të qeverive në Prizren, janarin e shkuar, mbledhje që do të ketë raundin e dytë në fund të marsit të këtij viti, mbështetej në disa shtylla kryesore si bashkëpunimi në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë, bashkëpunimi në zhvillimin e infrastrukturës, në zhvillimin e hapësirës së përbashkët tregtare dhe bashkërendimin për të ndërtuar sisteme unike në arsim dhe kulturë.

Pa u bërë mbledhja e marsit, pra, mbledhja e radhës e dy qeverive tona, ka filluar të jetësohen projekte që i përkasin këtyre marrëveshjeve dhe që e vendosin faktikisht, mbledhjen tonë të dytë, në një pozicion shumë më të avancuar sesa mbledhja e parë. Nga ana tjetër, edhe me një sërë avantazhesh të krijuara në periudhën midis dy mbledhjeve, qoftë sa i përket rezultateve tanimë të arritura, qoftë përsa i përket një eksperience që na ka treguar se ku mund të ecim ende më shpejt.

Qysh nga pavarësia e Kosovës, qytetarët e hapësirës shqiptare, mediat, familjet, të rinjtë, artistët kanë ditur me thënë të drejtën, të bashkërendohen shumë më mirë dhe me shumë më tepër shpejtësi dhe efikasitet sesa vetë qeveritë. Por tashmë, bashkërendimi i tyre natyral është i fuqizuar prej një rrugëtimi të përbashkët qeveritar dhe institucional për zhvillim, modernizim dhe mundësi të barabarta në Shqipëri dhe në Kosovë dhe përtej kufijve politikë e kulturorë në gjithë rajonin tonë.

Sot gjej rastin ta përshëndes marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për menaxhimin e sistemit të drejtësisë në veriun e Kosovës. Përveç rëndësisë që ka për normalizimin e jetës së qytetarëve në atë zonë, kjo marrëveshje, në këndvështrimin tim, është një simbol shumë kuptimplotë i Ballkanit të epokës së re në Bruksel, por edhe i asaj politike të re që qeveritë e Kosovës, forcat politike në Kosovë kanë ditur të çojnë përpara dhe të mishërojnë me një kurajo vërtet shembullore. Kurajo nga e cila duhet dhe mund të mësojnë vijimësisht edhe qeveritë dhe forcat politike në Serbi.

Duke theksuar rëndësinë e kësaj simbolike, që nuk është thjesht simbolikë, por që kthehet në simbol për shkak të asaj që mishëron, do të doja të kujtoja edhe sot, se zemërgjerësia që tregon Kosova dhe largpamësia europiane e lidershipit të Kosovës në sigurimin e drejtësisë dhe të drejtave për minoritetin serb do të duhet të bëhet normë dhe detyrim edhe për Serbinë, që të aplikojë standarde të njëjta ndaj minoritetit shqiptar në Luginën e Preshevës dhe minoriteteve të tjera. Është parësore për ne dhe për të ardhmen europiane të të gjithë rajonit që edhe në këtë zonë të kemi siguri të plotë juridike dhe përfaqësim të barabartë në gjykata. E në këtë aspekt, Kosova përbën një shembull që rrezaton në gjithë Ballkanin, jo vetëm për atë çka Kosova po bën, por edhe për faktin se kjo Kosovë që sot po bën kaq shumë në këto drejtime vjen nga një histori e dhimbshme, prej të cilës nuk ka nxjerrë armët e hakmarrjes, por ka nxjerrë energjitë e jashtëzakonshme të paqes, të dashurisë dhe të solidaritetit.

 

Nga ana tjetër, ne duam po ashtu të kemi një regjim të njëjtë të standardeve europiane, si ky që po inaugurojmë këtu në Morinë, edhe në pjesët e tjera dhe në raport me të tjerët. Kjo është një bindje tjetër e jona, për të cilën do të tregojmë të njëjtën vendosmëri, sepse rrugëtimi i përbashkët përfshin gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan, një rajon në të cilin fatet tona janë pandashmërisht të ndërlidhura, ndaj të tilla duhet të jenë edhe standardet dhe hapat drejt Bashkimit Europian.

Ne sot kemi krenarinë si shqiptarë dhe falë Kosovës në radhë të parë, që fqinjëve t’u flasim jo thjesht me gjuhën e idealeve, të ideve dhe të parimeve, por edhe me gjuhën e fakteve, duke mos kërkuar nga fqinjët diçka që ne vetë nuk e garantojmë, por përkundrazi, duke kërkuar nga fqinjët që të bëhen njësoj si ne, garantë të të gjitha atyre lirive dhe të drejtave, për të cilat të gjithë sëbashku jemi thellësisht dhe me fakte të angazhuar. Nuk janë projektet, nuk janë nevojat, nuk është bindja e përplotësimit në shumë fusha, nuk është as vizioni dhe as lidershipi, por është vendosmëria që sjell suksesin e bashkëpunimit, thuhet për vendosmërinë që ngjizi dhe jetësoi Bashkimin Europian. Një vendosmëri që besoj fort se ne jo vetëm e kemi, por edhe që hap pas hapi, ashtu si dhe sot na siguron një rrugëtim të përbashkët dhe të suksesshëm, ku tregojmë se dëshira dhe aspiratat tona janë të ndërlidhura politikisht dhe institucionalisht.

Duke ju uruar me gjithë zemër bashkëpunim të fortë, të suksesshëm dhe në funksion të qytetarëve, sipërmarrësve apo familjeve që e përdorin këtë pikë, të dyja administratat doganore, jam po ashtu i bindur se sot kemi vendosur një gur tjetër, shumë të rëndë, në themelin e përbashkët të të ardhmes së përbashkët të shqiptarëve. Rruga jonë është e drejtë. Bindjet tona janë po ashtu të drejta. Vizioni ynë është i qartë dhe mbi të gjitha, vendosmëria jonë e përbashkët është në provë dhe çdo ditë provon se është në shërbim të rrugës, të bindjeve dhe të qëllimit tonë të madh, ëndrrës së madhe të të gjithë shqiptarëve për të jetuar sëbashku, në atë hapësirë të përbashkët ku një komb funksionon përmes dy shteteve.

Edhe një herë faleminderit dhe më lejoni ta mbyll me një falenderim të posaçëm për Kryeministrin e Kosovës, i cili është këtu sot dhe me të cilin do të jemi përsëri në Tiranë, në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive, për të garantuar se sëbashku, ne do të bëjmë realitet gjithçka, që me të drejtë shqiptarët këtej dhe andej kufirit na e kërkojnë me këmbëngulje, çdo ditë. Nuk ka kohë për të humbur dhe kjo është koha jonë, është koha e shqiptarëve.

Faleminderit!

 

Fjala e kryeministrit te Kosovës Isa Mustafa:

 

Është një kënaqësi e veçante sot, për mua, që të jemi këtu, së bashku, për të inauguruar një marrëveshje të përbashkët, e cila është arritur në takimin e përbashkët të dy qeverive në Prizren. Shpresoj që marrëveshje të tilla të vazhdojmë të inaugurojmë dhe më tutje si rezultat i bashkëpunimit tonë, si rezultat i lidhjeve tona shumë të forta, të cilat i kemi ndërtuar dhe do t’i ndërtojmë edhe në të ardhmen, sepse bashkëpunimi ynë ekonomik, shoqëruar edhe me bashkëpunimin në fusha të tjera do të jetë shprehje e lidhjes sonë, shprehje e mosekzistencës së kufijve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe shprehje e synimeve tona për t’u integruar në BE, që të gjitha interesat tona të përbashkëta t’i arrijmë si pjesë e familjes së madhe europiane.

Për mua është kënaqësi e madhe që sot, këtu po inaugurojmë këtë transit, nga i cili do të përfitojnë qytetarët e të dy vendeve, përfitojnë bizneset në radhë të parë, përfitojnë edhe eficenca në fushën e tatimeve dhe të doganave, sepse do të bëhet shumë eficente procedura e doganimit dhe përkatësisht zhdoganimit, do të arrihet po ashtu një rezultat më i madh përsa i përket luftimit të evazionit fiskal dhe përfitimit të procedurave të përgjithshme efikase në fushën e politikave fiskale, për të cilat ne jemi shumë të interesuar t’i bëjmë bashkërisht.

U konstatua edhe nga dy drejtorët e doganave se qëllimi i kësaj nuk është vetëm të shkurtojmë procedurat kohore të zhdoganimit, por qëllimi është të ulim edhe koston, nga e cila do të përfitojnë bizneset në mënyrë të drejtpërdrejtë, por të përfitojnë edhe qytetarët, sepse do të realizojnë mallra dhe do t’i konsumojnë ato me çmime më të ulëta.

 

Ne jemi të interesuar të bashkëpunojmë edhe më tutje, jemi të interesuar që këtë fushë të doganave ta përmirësojmë, në mënyrë që të përfitojnë qytetarët në radhë të parë dhe në mënyrë që bizneset në të dy anët të kenë favore që u takojnë atyre, por edhe që këto favore të shkojë deri tek qytetari i fundit në konsumimin e të mirave, të cilat ne do t’i realizojmë si rezultat i të mirave të përbashkëta.

Faleminderit shumë për ardhjen tuaj! Ju uroj suksese të dy administrative, shërbimeve, drejtorive të doganave, pasi i kemi të definuar në të dy vendet tona, por mendojmë se së shpejti do t’i titullojmë në mënyrë të njëjtë.

Ju faleminderit dhe urime!

 

***

Ditën e sotme në Doganën e Morinës është inauguruar me praninë e të dy Kryeministrave të Shqipërisë Edi Rama dhe i Kosovës Isa Mustafa, “Korridorin e Transitit të Përbashkët Shqipëri-Kosovë”. Gjithashtu në aplikimin për herë të parë të këtij tranziti kanë qenë të pranishëm Ministri i Financave të Shqipërisë Shkëlqim Cani, Ministri i Financave të Kosovës Avdullah Hoti, Drejtorja e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës Lulzim Rafuna.

 

Të gjitha transitet e çelura në Territorin Doganor Shqiptar do të mbyllen në doganat e destinacionit kosovar duke evituar kështu ndalesat në kufi për ribërje procedurash, dhe anasjelltas, ato transite qe hapen në Territorin Doganor të Kosovës do të mbyllen në doganat e destinacionit shqiptar, njësoj sikur të kishim vetëm një doganë dhe jo dy. Një procedurë që normalisht zgjaste deri në dy ditë, ose dhe më shumë për shkak të garancive financiare, sot në doganës e Morinës dhe Vërmicës do zgjasë jo më shumë se 5 minuta.

 

Kjo prek të gjitha bizneset që operojnë midis Shqipërisë dhe Kosovës duke sjellë një impakt të jashtëzakonshëm në tregtinë mes dy vendeve. Kjo risi në fushën e shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës shpejton lëvizjen e mallrave, shkurton kohën e qëndrimin të tyre në doganë, redukton kostot për biznesin.

Transiti i Përbashkët me Kosovën sjell fleksibilitet dhe shpejtësi në tregtinë mes dy vendeve.

Fillimisht Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna u shpreh: “Kjo është një procedurë e cila i ndihmon bizneset tona, por i ndihmon edhe dy administratat dhe lehtëson qarkullimin e mallrave. Këtu kemi një kamion, i cila është nisur nga Porti i Durrësit”, – u shpreh Rafuna.

Ndërsa Drejtorja e Përgjithshme e Doganave të Shqipërisë Elisa Spiropali u shpreh: “Pas vullnetit të Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës për të afruar tregjet e dy vendeve përmes përafrimit të procedurave të përbashkëta doganore qëndron puna intensive e Doganave të Shqipërisë dhe Kosovës për realizimin me sukses të Transitit të Përbashkët. Transiti i Përbashkët do të thotë më pak kosto për biznesin, më pak kohë e shpenzuar në doganë si dhe aplikimi i procedurave të përbashkëta”, – u shpreh Spiropali.

SHKARKO APP