Edi Rama: Intelektualët, “macet e zeza”të çdo pushteti

(Botuar me 26 Mars 1995 në KOHA JONE)

Intervistë me Edi Rama

Duke e përcaktuar Berishën si djall dhe Nanon si engjëll, socialistët shitën për dy vjet rresht “Zërin e Popullit” dhe hapën të gjitha portat e asaj Evrope që para dy vjetësh nuk ua dëgjonte dot emrin.
Ndërkohë që qëndrimet tuaja të hapura kundër Presidentit Berisha janë të mirënjohura, përpara disa ditësh, në një intervistë, dhënë gazetës “Intervista” ju keni mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj opozitës dhe në një farë mënyre keni justifikuar gabimet e Presidentit. Çfarë ju ka nxitur të moderoni qëndrimin tuaj?
Edi Rama: Para së gjithash do të më pëlqente të saktësoja se unë nuk kam qenë dhe nuk jam kundër Presidentit, por kundër politikës së tij, dhe këtu ndryshimi është i vogël, por jo i parëndësishëm. Siç ju e përsërisni me të drejtë, qëndrimi im ndaj opozitës ka qenë i ashpër, por kjo kurrsesi për të justifikuar Presidentin. Pikëpamja ime modeste është që opozita, dhe këtu kam parasysh kryesisht opozitën socialiste, duke mos pasur alternativa reale për të ndrequr Shqipërinë e shkatërruar, e ka mbështetur krejt luftën e saj tek gafat e Berishës, pushteti i të cilit po dobësohet dita ditës jo sepse nuk po përballon dot ndonjë alternativë të fuqishme opozitare, por sepse ai vetë po gabon, kudo dhe vazhdimisht.
Nëse do të ishit prezent në Konferencën maratonë të shtypit që organizoi tash së fundi Presidenti, çfarë do ta pyesnit?
Natyrisht nuk do ta pyesja as për problemet e politikës së jashtme, as për problemet e mbrojtjes, as për investimet, dhe jo më pastaj më dritat, ujin, partinë apo rregullat e ndëshkimit. Të paktën për njohjen time të kufizuar, sipas paketës së ligjeve të saj themelore, Shqipëria është një republikë parlamentare ku Presidenti është përfaqësuesi i unitetit të kombit, që garanton ekuilibrin e pushteteve në funksion të kushtetutës, dhe jo drejtues i ekzekutivit, kryetar partie apo bashkëpërgjegjës i ndërmarrjes komunale. Nëse Presidentit i pëlqen të përzihet me të gjitha andrallat e kombit duke kujtuar ndoshta se kombi është një firmë e madhe private, President i së cilës është ai vetë, gazetarët nuk kanë pse e marrin si të mirëqenë këtë keqkuptim të madh në demokracinë shqiptare, duke i bërë Presidentit pyetje që duhet t’ia bëjnë Kryeministrit, Ministrave, përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor, apo drejtuesve të partisë në pushtet. Duke mos e pyetur për atë që nuk i takon të përgjigjet, gazetarët do ta ndihmonin realisht presidentin që të kuptojë se është koha që ai t’i vërë kompetencat e tij në favor të Shqipërisë dhe ta bëjë vendin të paktën me një Kryeministër. Do të isha shumë kurioz të dëgjoja se si do t’i përgjigjej Presidenti pyetjes se “pse nuk i ka kërkuar ndjesë akoma gazetarëve të gazetës tuaj, të cilët deri dje i ka penguar me policë që të marrin pjesë në konferencat e tij për shtyp?”.
Le të vijmë tek ajo çka është realisht në kompetencat e Presidentit Berisha, fuqia për të falur. U falën disa ish-udhëheqës të nomenklaturës komuniste, ndërkohë që Ramiz Alia nuk përfitoi asgjë dhe lideri i opozitës socialiste Fatos Nano përfitoi vetëm 2 vjet nga kjo falje. Si e konsideroni këtë amnisti për nder të 22 Marsit?
Data 22 Mars mua personalisht nuk më thotë gjë. Ka fituar një parti që sot humbet e nesër fiton prapë dhe ka humbur një parti tjetër që sot fiton e nesër humbet prapë. Çfarë ka këtu kaq të gëzuar për të festuar çdo vit 22 Marsin?! Triumfi i pluralizmit? Pluralizmi triumfoi qysh më 31 mars, pavarësisht se opozita demokratike humbi. Fitoi demokracia? Demokracia mund të humbasë në një ditë, por s’ka se si të fitojë në një ditë. Fitorja e demokracisë vjen kur ndryshon mendësia totalitare, kur ndërtohen institucionet demokratike, kur kundërshtarit politik nuk i vihen pranga por i jepet mikrofoni, kur gjykatat bëhen të pavarura dhe gjykatësit të paprekshëm, kur shtypi nuk masakrohet me ligje penguese dhe me taksa astronomike, kur … Në një vend demokratik, aq më tepër në një shoqëri aq të polarizuar sa e jona, festat kombëtare duhet të jenë shprehje paqeje sociale, ato nuk mund të caktohen me principin “topi është i imi, penalltinë do ta gjuaj vetë”. Pozicionimet e përgjithshme në favor të humanizmit dhe të demokracisë nuk i duhen askujt kur politika nuk adopton principe të aplikueshme konkretisht për zgjidhjen e problemit të paqes sociale. Këto principe përbëjnë të vetmin element të qëndrueshëm të bashkëjetesës harmonike, të tjerat janë tym demagogjik. Paqja socialiste nuk mund të arrihet pa një harmonizim midis lirisë së individit dhe barazisë së individëve përpara ligjit dhe tashmë e dimë që kjo është e mundur vetëm nëpërmjet shtetit të së drejtës, por në realitet e drejta nuk qëndron veçse kur njihet dhe jetohet si një detyrë. Ta njohësh dhe ta jetosh të drejtën si detyrë do të thotë ta njohësh dhe ta jetosh të drejtën e tjetrit si të drejtën tënde. Në Shqipëri nuk është kuptuar akoma që politika dhe politikanët janë aty për t’i shërbyer zgjidhjes së problemeve dhe jo për të krijuar në pafundësi probleme të reja.
Cilat do të ishin sipas jush alternativat reale të opozitës socialiste?
Ah, këtu më kërkon shumë, unë nuk duhet patjetër ta di këtë, thjesht edhe sepse nuk i ndaj bindjet e mia me socialistët. Por nëse kredoja e të majtës evropiane është kritika e sistemit dhe nga politika nuk shihet asgjëkund, as përpjekjet partizane të socialistëve shqiptarë. “Dora e vjetër” udhëheqëse e socialistëve shqiptarë, vjen në politikën aktuale nga skalionet e socializmit real të Enver Hoxhës, në luftën e saj sundon fryma jo liberale dhe shfaqet vazhdimisht kompleksi i së kaluarës, dukuri këto që nuk prekin të rinjtë eurosocialistë, të cilët fatkeqësisht kanë shumë pak zë në jetën politike të vendit.
Duke e përcaktuar Berishën si djall dhe Nanon si engjëll socialistët shitën për dy vjet rresht “Zërin e Popullit” dhe hapën të gjitha portat e asaj Evrope që para dy vjetësh nuk ua dëgjonte dot emrin. Berisha natyrisht e bëri edhe më interesante luftën e shenjtë të socialistëve duke burgosur gazetarë, duke dekoruar kriminelë, duke kërkuar të bëhet mbret…
Sidoqoftë, vetë qëndrimi natyral që e majta ka ndaj pushtetit, si ndaj një force abuzive që korrupton ata që e përdorin, dhe përkufizimi që i jep vetes si një rezistencë e organizuar popullore ndaj tij, bëjnë që e majta të jetë një forcë e papërgjegjshme, e domosdoshme kur është në opozitë, por e rrezikshme kur është në pushtet. Për këtë, shqiptarët nuk kanë pse të presin të vënë në provë socialistët, sepse provën sesi mund ta udhëheqin të majtët e ardhur nga skalionet e enverizmit e dhanë me Sali Berishën dhe me eminencat e tij.
Mos vallë ata që bënë ideologji sundimtare enveriste ishin pikërisht ata shqiptarë “të këqij”që i ndërrojnë bindjet bashkë me stinët?
Enverizmin nuk e bën ligji sundimtar enverist, të cilët kishin të drejtën e tyre të shenjtë ta shihnin Enverin si At, por paraliza e plotë e antienveristëve, heshtja dhe devocioni prej lakejsh i shqiptarëve që votonin 99.9 për qind pro partisë apo servilizmi i verbër i kosovarëve që e kishin identifikuar Nanën Shqipni me babën Enver. Të gjithë ne shqiptarët bëmë që enverizmi të bëhet cështje e madhe e kombit dhe simboli i Shqipërisë në botë. Kështu që është krejt e kotë të kërkosh se sa ishin everistët në raport me pjesën tjetër të popullit, apo se si mund të dallohen shqiptarët “e mirë” nga “të këqij” duke marrë si premisë enverizmin. Çështja është të mundohemi të zbulojmë se cila është origjina, pikënisja e evolucionit patologjik të të gjithë jetës shoqërore të shqiptarëve.
Po të dëgjosh Presidentin tonë faji fillon me Marksin…
Është mendjelehtësi të akuzosh si fajtor filozofët dhe sistemet filozofike mbi të cilët u ngritën idetë e denatyruara të diktatorëve. Cilado qoftë pesha e formulave filozofike në kokat e këtyre krijesave djallëzore, formulat në vetvete nuk e shpjegojnë se në gjithfarëshmërinë e zgjedhjeve morale që ju ofrohen, individët apo shoqëria zgjedhin pikërisht moralin që i udhëheq drejt katastrofës. Ta shpjegosh katastrofën komuniste si vepër të Mars qyqarit apo edhe si bëmë të Enver djalit, do të thotë që thjesht të mos shpjegosh asgjë. Komunizmi u ngrit duke turbulluar universin dhe sistemin e vlerave të njerëzve të ndershëm, të cilët ishin të kërkim të një bote më të mirë. Që një diktaturë të ngrihet mbi ligjin, duhet që vetë ligji t’i nënshtrohet më parë asaj dhe ky rezultat nuk mund të arrihet me një aksion, sado i mirorganizuar të jetë ai, sepse armiku më i madh i ligjit, nuk është diktatori që kërkon të ngrihet mbi të, por masa e madhe e njerëzve që sheh tek ligji një pengesë. Tërësia e situatave artificiale dhe konfuzioni e bëjnë ligjin të duket i keq, regresiv, hipokrit dhe nxisin revoltën e njerëzve të ndershëm ndaj tij. Pikërisht kjo revoltë i jep legjitimitet diktatorit, i cili shfaqet në jetën e vendit si shpëtimtari që ngre mbi gërmadhat e ligjit iluzionin e një të ardhmeje të ndritur. Cilatdo qofshin trajtat e përbashkëta të komunizmit si sistem sundues i gjysmës së Evropës, madhështinë gjysmëshekullore të enverizmit nuk mundet ta shpjegojmë veçse duke u përpjekur të gjejmë rrënjët e tij, dhe tashmë bëhet përherë e më e qartë se këto rrënjë shtrihen më tutje sesa Beogradi, Moska apo Pekini, në shpellat e inkoshientit kolektiv të shqiptarëve.
Në tërësinë e prononcimeve tuaja ndihet një kriticizëm i veçantë ndaj shoqërisë shqiptare. Për këtë shpeshherë jeni akuzuar edhe si antishqiptar. A është tek ky kriticizëm një parakusht i ekzistencës intelektuale?
Ekzistencë intelektuale do të thotë shpjegim, formulim, publikim; njerëzit e pushtetit, në të kundërt, preferojnë frazat evazive, dhe kanë nevojë për intelektualët vetëm kur nuk janë më në pushtet. Vetëm atëherë intelektualët mund ta ndihmojnë mbijetesën e tyre në opozitë. Shikoni p.sh. se si ka ndodhur me gazetën tuaj. Armiqtë më të egër të saj në kohën kur uleshin në veturat e PD, sot të përjashtuar nga ajo parti gjejnë në faqet e gazetës suaj hapësirën ideale për t’u shprehur. Ndërkohë të tjerët, ata që sot vazhdojnë të lëvizin me veturat e pushtetit, nesër me siguri do të trokasin në dyert e redaksisë suaj si vëllezër opozitarë të kauzës së përbashkët. Në këtë kontekst, nuk ka shqiptarë, jo vetëm sot por për gjatë gjithë historisë së kulturës shqiptare, që të ketë folur apo shkruar sinqerisht në mënyrë kritike për shoqërinë ku jeton dhe të mos jetë akuzuar si antishqiptar nga mjediset e vetëquajtura intelektuale, e aq më shumë nga shtypi i qeverisë. Vetëm një shoqëri e paaftë për të zgjidhur problemet që i pozon historia, dhe që nuk ka guxuar kurrë t’i shohë në sy dobësitë e saj, ka nevojë për vizionin e një bote të populluar me bajlozë e tradhtarë dhe të një Atdheu me një të kaluar të mbipopulluar me heronj mitikë që zmbrapsin me turp orvatjet e armiqve për të futur hundët në punët e brendshme të shoqërisë. Dhe për dreq, historia nuk tregohet asnjëherë zemërgjerë me këtë shoqëri në zgjidhjen e problemeve për herë prezente të së tashmes. Ajo le në tjegullën e së kaluarës kreshnikët e legjendave dhe fsheh nëpër ëndrrat e të ardhmes triumfatorët e kauzës, kështu që të tashmes nuk i mbetet tjetër veçse të bëjë si të bëjë me një kontingjent njerëzish mëse të zakonshëm, të cilët shumë-shumë mund të arrijnë deri në gjatësinë e pishtarit apo në gjerësinë e martirit. Duke qenë se një popull i tërë pranon më mirë pseudozgjidhjet sesa ballafaqimin me problemet e vërteta, patjetër do lindi e rilindi, sa herë të jetë nevoja, një forcë e paaftë për të zgjidhur problemet, por e mjaftueshme për të sjellë një pseudozgjidhje. Në rastin e shqiptarëve kjo forcë është shqiptaro-centrizmi. Të zi, blu apo të kuq, të quajtur Enver, Sali apo Servet, kjo forcë do ta gjejë gjithmonë kryerealistin fals, i cili pa harruar të përmendë në çdo rast Shqipërinë, do ta spostojë këndvështrimin e shqiptarëve nga poshtë lart apo nga e djathta në të majtë dhe anasjelltas, por kurrë nuk do të mund të zgjidhi asnjë problem tonin, deri kur ne vetë të mos përpiqemi ta bëjmë këtë, duke filluar të ridimensionohemi në kufijtë realë të historisë dhe duke u përpjekur të shfrytëzojmë në maksimum kapacitetin e njeriut të lirë.
Për çfarë do ta ndihmonte Shqipërinë vota pro opozitës?
Veçanërisht në Shqipëri njerëzit nuk votojnë pro apo kundër dhe votimet janë manifestime të vullnetit negativ. Më 22 mars shqiptarët nuk votuan për demokratët, por kundër komunistëve dhe në zgjedhjet e ardhshme ata do të bëjnë të kundërtën. Fituesit e 22 marsit duhet të bëjnë kujdes që Jo-ja që ata do të dëgjojnë në përgjigje të kërkesës për zgjatjen e mandatit të tyre në zgjedhjet e ardhshme të mos shurdhojë gjithë Shqipërinë. Dhe kjo do të thotë që ata të fillojnë ta trajtojnë opozitës ashtu siç do të kishin dëshirë të trajtoheshin në 4 apo 8 vjetët e ardhshëm kur vota e popullit do t’i detyrojë të ulen në karriget e saj. Kjo votë Shqipërisë ndoshta nuk do t’i sjellë ndonjë gjë të madhe, por shqiptarëve do t’ju tregojë realisht përkohshmërinë e pushtetit, dhe kjo nuk është pak po ta mendosh se paskëtaj ata do të ndihen më të rëndësishëm për vetë fatin e tyre dhe do të mendohen pak më shumë ku ta hedhin votën.
Aktualisht flitet për mungesën e intelektualëve në debatin politik. Gjithashtu, si partia në pushtet ashtu edhe opozita kanë një krizë të mendimit politik. A mund të fitonte diçka politika shqiptare në rast se do të kandidoheshin më shumë intelektualë në zgjedhjet e ardhshme?
Shqipërisë i duhen edhe intelektualët edhe politikanët, dhe secili në punën e tij. Unë mbroj atë pikëpamje që e sheh të pamundur angazhimin e drejtpërdrejtë në politikë të intelektualit. Intelektuali është për natyrë të tij dikush që jeton midis fronteve, në tokën e askujt. Ai kurrsesi nuk mund të flijojë pavarësinë e tij për t’u rreshtuar në njërin prej fronteve në kërkim të votave. Kështu ai do të detyrohej të thoshte dhe të bënte gjëra që të duartrokiteshin prej shumicës, me fjalë të tjera të linte peng pavarësinë e tij. Misioni i intelektualit është të denoncojë gënjeshtrën në të gjitha format e shfaqjes së saj dhe pavarësisht nga çmimi që i duhet të paguajë. Intelektuali që hyn në politikë është i destinuar të humbasë si intelektual, ndërsa politikani që rreket të bëjë intelektualin është i destinuar të humbasë si politikan. Në këtë hendek ndodhet sot edhe grupimi më liberal politik që ka Shqipëria, Aleanca Demokratike. E krijuar prej shpirtit rebel të disa intelektualëve që mbetën në politikë kur inspiruan lëvizjen e Dhjetorit e që pastaj u ngritën kundër frymës totalitare që sundoi Partinë Demokratike, kjo parti ka pengesën e vet më të madhe, pikërisht shpirtin intelektual të Neritan Cekës, Gramoz Pashkos, Arben Imamit, Prec Zogajt, Teodor Kekos e disa të tjerëve, të cilët shpeshherë bien në kurthet e ekzistencës intelektuale dhe nuk arrijnë ta kënaqin epshin popullor me ëndrra me sy hapur. T’i shmangesh këtyre kurtheve nuk do të thotë të bësh një politikë të pamoralshme, por të administrosh me syrin e të nesërmes shanset që ofron e tashmja. Aleanca Demokratike si dhe forumi Eurosocialist janë organizmat e parë të një klase tjetërlloj politikanësh dhe pikërisht për konsolidimin e kësaj klase ka nevojë politika shqiptare. Intelektualët janë “mace të zeza” të cdo pushteti, futja e tyre në ndërtimin e projekteve politike do të ishte edhe fundi i tyre.
Intervistoi Ilir Keko

SHKARKO APP