Edi Rama: Sekuestro milionerëve të ndërtimit për katet pa leje!

Edi Rama sot ka folur me tone të ashpra kundra ndërtimeve pa leje.

Kryeministri Rama ka zhvilluar një takim me krerët e Policisë, ku bëri një paralajmërim edhe për ndërtuesit e pallateve dhe hapësirave pa leje.

Ai foli për nismën e re të qeverisë, për konfiskimin e ndërtimeve pa leje apo shembjen e tyre.

Kryeministri paralajmëroi “dorë të hekurt” duke thënë se aksioni do të jetë “i dhimbshëm për milionerët”.

Ai deklaroi se nuk do të ketë më legalizime të ndërtimeve që bëhen për arsye fitimi.

“Të gjithë katet dhe metrat katrorë që do të konfiskohen do të shkojnë për strehim social apo për mjedise pune për institucionet. Se kemi akoma institucione që paguajnë qira. Ndërkohë nja 4-5 mijë metra katrorë janë ngjitur me Sheshin Skënderbej.

Do ti bëj thirrje ndërtuesve që mos tentojnë të përdorin blerësit apo klientët si pengje.Flas për milionerët që ndërtojnë pa leje, hapen majtas e djathtas. Shemben ose konfiskohen për interes publik, paguhet gjobë, shkohet edhe për ndjekje penale. E kemi miratuar pak kohë më parë, por jo aq pak sa të mos kishte zbatimin.

Ju kemi dhënë edhe të drejtën e parablerjes me çmimin real të tregut, apo mundësinë ta dhurojnë si një mënyrë për të larë mëkatin, ta dhurojnë për shtetin, për ti krijuar mundësinë ligjërimit të objektit që do të përdoret për të pastrehët.

Nuk do të ketë më kurrë legalizime për kate apo metra katrorë për qëllime fitimi. Kurrë, ta harrojnë! Godinat dhe shtesat pa leje, apo ato që janë në ndërtim pa leje, vetëm mund të shemben ose konfiskohen.

AMP duhet të hapë hetimet për të gjithë punonjësit e policisë ku janë ndërtuar këto kate dhe sipërfaqje pa leje.

Del që ka edhe një pallat komplet pa leje në Tiranë. Natyrisht shefi i komisariatit në zonën ku është ndërtuar ai pallat, nuk ka se si të jetë shef komisariati.

Ky operacion duhet të jetë aq i dhimbshëm për këta milionerët që bëjnë karshillëk! Duhet ta mendojë çdo njeri para se të ndërtojë pa leje, se do t’i hyjë ca halleve…”, tha Rama.

SHKARKO APP