Ekonomia shqiptare rënie edhe gjatë tremujorit të tretë
Shqipëria regjistroi tremujorin e tretë radhazi me një rritje ekonomike negative, ndikuar nga pandemia e COIVID 19.
Të dhënat zyrtare të publikuara sot nga Instituti i Statistikave tregojnë se në tremujorin e tretë ekonomia e vendit ra me 3.47 përqind, kundrejt të njejtës periudhë të një viti më parë.
Në tremujorin e dytë ishte rregjistruar rënia më e madhe që nga vitit 1997, me 10.29 përqind. Ndërsa në tremujorin e parë ekonomia u tkurr me 2.34 përqind e ndikuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Në tremujorin e tretë, disa sektorë të ekonomisë e rimorën veten dhe shënuan ecuri pozitive. Rritjen më të lartë e pati aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme, me 9,54 përqind, i pasuar nga Ndërtimi me 8,72 përqind. Të dy këto aktivitete kontribuuan me 1.26 pikë përqindje në Prodhimin e Brendshëm Bruto
Por rënia e fortë e grupit të Aktiviteteve profesionale dhe Shërbimeve administrative, me minus 16,63 përqind, dhe e grupit të Tregtisë, Transportit, Akomodimit dhe Shërbimit ushqimor, me minus 13 përqind, patën një kontribut negativ të ndjeshëm, prej 3.65 pikë përqindje në uljen e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Mesatarisht, për nëntë muajt e parë të vitit, ekonomia e Shqipërisë është tkurrur me 5.3 përqind. Qeveria pret që viti 2020- të mbyllet me një rritje negative prej 6.1 përqind, ndërsa institucionet financiare ndërkombëtare kanë paralajmëruar një rënie që luhatet nga 7.5 në 9 përqind. /VOA/