Eksodi drejt Perëndimit, mbi 50 mijë shqiptarë u larguan në vitin 2014

Shifrat e largimit të shqiptarëve rikthejnë në memorie eksodet masive, pas rënies së komunizmit. Por përse shqiptarët vendosin të largohen gjithnjë e më shumë nga ky vend dhe pse nuk besojnë më tek e ardhmja e vendit të tyre, pas plot 24 vjetësh demokraci? Pikëpyetje të shumta, pa përgjigje, veçse INSTAT jep shifra tronditëse.     

Shqiptarët po largohen masivisht në emigracion, sipas një studimi të INSTAT, pasi në vitin 2014, rreth 50 mijë shqiptarë kanë lënë vendin e tyre, dhe kanë pasur si destinacion vende të ndryshme të Bashkimit Europian.

Sipas studimit të INSTAT, rreth 72% e të intervistuarve nga ata që janë larguar, renditet papunësia në vendin e parë, si arsye  kryesore e braktisjes së Shqipërisë.

Në vitin 2014 ky fenomen kaloi pa bërë shumë zhurmë, por në tremujorin e parë të vitit 2015, u vunë në lëvizje shumë faktorë të tjerë që nxorën në pah edhe dukurinë.

Alarmin e dhanë autoritetet gjermane, teksa publikuan një listë ku vendi ynë renditej i treti në botë me rreth 7000 kërkesa për azil, vetëm në tre muajt e parë të këtij viti.

Alarmi i radhës erdhi vetëm një ditë më vonë nga zv drejtori i policisë austriake Franz Lang, i cili tha se pas këtij fenomeni qëndron krimi i organizuar, dhe se autoritetet policore europiane kanë ndaluar më shumë se 100 persona.

Situata e rënduar ka detyruar drejtorin e sapo emëruar në krye të Policisë së Shtetit, Haki Çako, që të marrë masa urgjente, pasi Shqipërisë mund t’i rikthehet regjimi i vizave.

Ndërkohë në parlament debatet politike, nuk janë fokusuar ndonjëherë për fenomenin në fjalë , të shkaqeve të eksodit të mijërave shqiptarëve nga vendi i tyre. Apo nuk diskutohet edhe fakti se me qindra zyrtarë të lartë të shtetit akuzohen për korrupsion, shpërdorim detyre dhe mosdeklarim të pasurive. Ndërkohë që kjo kategori, në çdo qeveri çuditërisht e ka pasur një vend pune, dhe është ndoshta shtresa e vetme e shoqërisë sonë që nuk e sheh të arsyeshme t’i bashkohet eksodit të largimeve nga vendi.  

SHKARKO APP