Eksodi i familjeve kuksiane, debate mes të rinjve për azilkërkuesit

Emigrimi masiv i të rinjve kuksianë drejt Gjermanisë ka nxitur një cikël debatesh me nxënësit e shkollave të mesme të rrethit të Kukësit.  Një debat i tillë me temë “Eksodi i të rinjve dhe familjeve kuksiane” është zhvilluar mes nxënësve të gjimnazit të Kukësit  dhe të fshatit Bicaj.

Të ndarë në dy grupe, pro dhe kundër, ata kanë argumentuar shkaqet e largimit të të rinjve, por edhe arsyet përse ata nuk duhet të largohen nga vendi. – “Jemi për emigrimin, pasi Kukësi është dobët ekonomikisht. Të rinjtë enden rrugëve pa punë dhe zgjidhja është largimi nga ky vend ku nuk ka shpresë”, thotë një gjimnaziste.

Një tjetër gjimnaziste nuk e sheh si zgjidhje emigrimin, por ndoshta kërkon një shtet më të përgjegjshëm për qytetarët e tij: Po shohim që njerëzit e varfër që kërkojnë azil po kthehen më të varfër nga sa ishin.” Muajt e fundit, dhjetëra familje nga Kukësi, por edhe nga fshatrat, udhëtojnë kryesisht drejt Gjermanisë, por edhe vendeve të tjera të BE-së, për të kërkuar azil.  Ndërkohë që ky fenomen ka përfshirë edhe shumë të rinj të cilët nga mungesa e vendeve të punës dhe e perspektivës, po largohen drejt Gjermanisë, apo vendeve të tjera të BE. E natyrshme, në mungesë të një vendi pune, familje të shumta në Kukës dhe mbarë Shqipërinë, kërkojnë gjithnjë e më tepër të largohen nga ky vend, sikurse ka ndodhur gjatë 24 viteve të fundit. Ka familje që pretendojnë se janë të zhgënjyer nga politika dhe nuk presin më asgjë prej saj. Prej 24 vitesh atyre nuk është afruar asnjë vend pune, ndërsa duket se politika i ka bërë zgjedhjet e saj me kohë.  Me qindra zyrtarë të lartë dhe familjarë të tyre ndërrojnë postet në çdo qeveri , që vjen dhe ikën,  ndonëse kallëzohen për korrupsion, shpërdorim detyre, apo abuzime. 

SHKARKO APP