Eksodi i padukshëm i shqiptarëve, mijëra kërkojnë azil në BE

Nga Gjergj Erebara, BIRN

Ndërsa media shfaqi shenja habie mbi lajmin se qindra njerëz u grumbulluan në Vlorë me shpresën e azilit në Gjermani, të dhënat e Eurostat tregojnë se azilkërkuesit shqiptarë janë shumëfishuar gjatë viteve të fundit.

Një grup emigrantësh po presin të ndalohen nga policia e Hungarisë pasi kapërcyen ilegalisht kufirin e këtij vendi nga Serbia më 16 dhjetor 2014. Shumë prej emigrantëve të ndaluar në Hungari vijnë nga vende të largëta si Afganistani apo Siria, por edhe nga vetë Ballkani si Kosova apo Shqipëria.

Një grup emigrantësh po presin të ndalohen nga policia e Hungarisë pasi kapërcyen ilegalisht kufirin e këtij vendi nga Serbia më 16 dhjetor 2014. Shumë prej emigrantëve të ndaluar në Hungari vijnë nga vende të largëta si Afganistani apo Siria, por edhe nga vetë Ballkani si Kosova apo Shqipëria.

Sipas të dhënave të zyrës statistikore të Bashkimit Europian, Eurstat, nga janari deri nëntor të këtij viti, mbi 13,500 qytetarë shqiptarë kërkuan azil në vendet e Bashkimit Europian, shifër kjo që është shumëfishuar gjatë katër viteve të fundit.

Sipas të dhënave, kërkesat e reja për azil nga Shqipëria u rritën nga 2,860 në vitin 2011, viti i parë i liberalizimit të vizave, në 13,540 këtë vit. Në 2012 numri i azilkërkuesve shqiptarë në BE ishte 7500 dhe në 2013 arriti në 11,000 vetë. Gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, vendet anëtare të Bashkimit Europian morën 10,410 vendime mbi kërkesat e shqiptarëve për azil, nga të cilat, 9695 qenë vendime refuzimi dhe 715 qenë vendime për dhënien e statusit të azilantit.

Shumica e shqiptarëve që kanë kërkuar azil i janë drejtuar Gjermanisë dhe Francës, por një numër jo i vogël kanë synuar gjithashtu Suedinë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Në të gjitha këto vende, numri i emigrantëve që kanë regjistruar kërkesë për statusin e azilantit, si një mënyrë për të fituar leje të rregull qëndrimi dhe pune, është shumëfishuar.

Por numri i azilkërkuesve në Francë mësohet se ka rënë me mbi dy herë këtë vit në krahasim me vitin 2013, numri i azilkërkuesit në Gjermani është shtuar me mbi pesë herë. Lajmi se disa qindra  njerëz u dyndën në portin e Vlorës të enjten me shpresë se do të iknin me traget dhe autobus drejt Gjermanisë habiti mediat në Tiranë.

Ambasada e Gjermanisë në Tiranë lëshoi  një deklaratë ku theksoi se shqiptarët që synojnë emigrimin në Gjermani në këtë mënyrë, se nuk kanë asnjë shans të marrin azil si dhe theksoi faktin që numri i azilkërkuese është shtuar  ndjeshëm gjatë muajve të fundit. Por ngjarja e Vlorës duket se është vetë maja e ajsbergut të një dallge emigrimi përmes kërkesave për azil, dallgë që është shumëfishuar gjatë viteve të fundit.

SHKARKO APP