Eksperiencë nga spitalet europiane dhe amerikane, tre mjekë rikthehen në Shqipëri
Tre mjekë shqiptarë, të cilët kanë zhvilluar karrierën e tyre profesionale jashtë vendit, janë rikthyer në Shqipëri për t’iu bashkuar sistemit shëndetësor vendas përmes Platformës “Mjekë nga Diaspora”.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, profesionistët kanë një përvojë të gjatë në institucione shëndetësore dhe akademike në vende të ndryshme të Europës dhe Amerikës së Veriut. Tashmë, ata do të ushtrojnë profesionin e tyre në institucione shëndetësore në Shqipëri.
Ermelinda Bahollari, e specializuar në Mjekësi Interne dhe Kardiologji në Gjermani, i është bashkuar ekipit të Spitalit Memorial Fier. Ndërkohë, Mikel Kamami, i diplomuar në Itali dhe i specializuar pranë Spitalit Vita-Salute San Raffaele në Milano, do të ushtrojë profesionin në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”.
Pjesë e sistemit shëndetësor shqiptar është bërë edhe Neritan Boriçi, i cili sjell me vete 25 vite përvojë profesionale dhe kërkimore. Ai ka punuar së fundmi në institucione shëndetësore referente në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, rikthimi i profesionistëve shqiptarë nga diaspora synon të kontribuojë në forcimin e sistemit shëndetësor përmes përvojës, njohurive dhe standardeve të fituara gjatë viteve të tyre të punës jashtë vendit.
Platforma “Mjekë nga Diaspora” është krijuar me synimin për të afruar profesionistët shqiptarë që ushtrojnë aktivitetin e tyre jashtë vendit me sistemin shëndetësor shqiptar dhe për të nxitur kontributin e tyre në vend.
KOHA JONË SONDAZH

