Eksperti i aviacionit analizon “fatin” e transportit ajror në Shqipëri

Ministrja e Transporteve dhe infrastrukturës, Belinda Balluku disa ditë më parë tha se veprimtaria e transportit ndërkombëtar ajror do të rimarrë veten shumë shpejt dhe me përmirësimin e situatës ekonomike post Covid-19, do të ketë rivendosje te kërkesës për udhëtime. Si do të jetë impakti i kësaj krize në çmimet e biletave ajrore dhe më specifikisht për shtetasit shqiptarë? Eksperti i aviacionit civil, Feliks Baçi, thotë se kjo industri ka pësuar goditje të rëndë nga përhapja e pandemisë globale Covid-19.

Ai u shpreh se aviacioni civil ka karakter ndërkombëtar dhe si e tillë, edhe në Shqipëri për shkak të mbylljes së kufirit ka pësuar humbje të jashtëzakonshme. Paçka situatës, eksperti shprehet entuziast se aviacioni civil do ta rimarrë veten shpejt dhe do të ndihmojë ekonominë e vendit.

”Aviacioni civil ka karakter ndërkombëtar. Diçka që ndodh në një vend të globit reflektohet në Shqipëri apo kudo gjetkë. Ka një ngjashmëri midis virusit COVID-19 dhe efekteve që pëson industria e aviacionit civil nga çdo faktor i jashtëm. Është shumë sensibël ndaj faktorëve të jashtëm. Është e vërtetë se një nga industritë që është prekur më shumë është industria e transportit ajror. Rreth 40 kompani ajrore nga më të fuqishmet në botë kanë ulur avionët në tokë dhe nuk ka të ardhura nga kjo industri. Aviacioni civil ka një natyrë ciklike, ka ulje e ngritje. Unë mendoj se aviacioni do të bëjë bum kur të rihapet. Kjo do të ecë paralel me industrinë globale. Jemi optimistë për këtë”.

Nga ana tjetër, ai parashikon se shoqëritë më të fuqishme do të mbijetojnë, ndërsa të tjerët, nuk do kenë mundësi të vijojnë veprimtarinë në këtë sektor. Zoti Baçi pohon se e ardhmja për pasagjerët nuk do të jetë e zymtë, por ata do kenë mundësi të udhëtojnë me çmime më të lira seç kanë udhëtuar para se të mbylleshin kufijtë nga pandemia globale e Covid-19. /Euronews Albania/

SHKARKO APP