Eksploziv qendrës së Agrobiznesit në Fushë-Krujë, ishte përuruar të hënën nga Meta

Shpërthimet me eksploziv e kanë tashmë një kryeqendër dhe ajo është Fushë-Kruja. Në këtë qytet janë shënuar një sërë shpërthimesh, gjatë kohëve të fundit. Një tjetër shpërthim i  fuqishëm ndodhi në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në hyrje të qendrës së Agrobiznesit, në Fushe -Krujë.  Policia, pas mbërritjes në vendngjarje, konfirmoi se ka pasur dëme materiale në pjesën para godinës ku edhe ishte vendosur sasia e tritolit. Qendra e biznesit ndodhet në rrugën nacionale Fushë-Krujë-Vorë dhe ishte përuruar të hënën, ku i pranishëm ishte edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta. Policia ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve. Dyshimet e para janë në banorë të zonës, pasi disa prej tyre protestuan një muaj më parë me pretendimin se kjo qendër është ndërtuar në tokat e tyre dhe u është marrë padrejtësisht nga pronarët që ndërtuan qendrën e biznesit. Gjithsesi, shpërthimi me eksploziv është një tjetër ngjarje e rëndë dhe tronditëse për zonën e Fushë-Krujës dhe më gjerë.

SHKARKO APP