Eksplozivi i djeshëm në Kosovë ishte planifikuar ndaj Edi Ramës?

Gazeta Koha Ditore e Prishtines shkruan : Një makinë e mbushur me eksploziv është ndaluar të enjten në mbrëmje nga Policia e Kosovës në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, ku ndodhen selitë e Ambasadës Amerikane dhe disa përfaqësi të huaja diplomatike.

Makina e tipit “Renault Clio” me targa të Beogradit, si dhe materiali eksploziv është konfiskuar nga Policia, ndërsa shoferi me inicialet S.G. me nënshtetësi nga Serbia është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim.

Edhe pse aksioni policor është zhvilluar në lagjen ku janë të vendosura disa ambasada të huaja, në Polici thonë se rasti nuk mund të ndërlidhet me ndonjë sulm terrorist apo sulm ndaj ambasadave.

Por, siç raporton TopChannel, burime nga institucione të sigurisë, po verifikojnë edhe informacione të bazuara që flasin se objektiv sulmi mund të ketë qenë hoteli ku pritej të qëndronte gjatë vizitës në Kosovë, Kryeministri Edi Rama.

Nuk dihet nëse ndryshimi i axhendës se Kryeministrit shqiptar, mos-shkuarja mbrëmë në Prishtinë, por vetëm sot, ka lidhje me këtë rast. Zyrtarisht policia e Kosovës hedh poshtë çdo version sepse hetimet përfundimtare do të tregojnë motivet e vërteta të sulmit.

Hetuesit policorë që po merren me këtë rast kanë treguar me kushte anonimiteti për “Top Channel”, se materiali eksploziv brenda makinës ka qenë në transportim e sipër dhe i njëjti, pas përgatitjes, do të mund të hidhej në erë me telekomandë për ndonjë sulm terrorist, pasi materiali ka qenë i ndarë në 10 njësi të veçanta.

Edhe pse zyrtarisht nuk behet i ditur se për çfarë lloj materiali eksploziv bëhet fjalë, sipas hetuesve të rastit, mund të jetë shumë i rrezikshëm nëse do të përdorej në hapësira të mbyllura ku ka njerëz.

“Policia e Kosovës paraprakisht ka zotëruar informacion inteligjent lidhur me veturën e dyshuar dhe mundësinë e qarkullimit të sajë drejt Prishtinës. Realisht vetura e cila është ndaluar nga njësitë policore ka qenë veturë në lëvizje dhe ka qenë materia duke u transportuar. Nuk mund të themi për ndonjë sulm terrorist të mundshëm, mirëpo mund të themi që është një materie e përpunuar, e cila ka qenë e mbështjellë në disa pjesë dhe që mund të përdoret si materie e rrezikshme eksplozive”, tha Baki Kelani.

Kelani ka treguar se makina e mbushur me lëndë eksploziv ishte nën vëzhgim policor para se të ndalohej pasi sipas tij informacionet për të ishin marrë nga Agjencia Inteligjente.

Po ashtu mësohet se makina e ndaluar në Prishtinë kishte ardhur nga Serbia në Kosovë përmes veriut të Mitrovicës. Prokuroria Speciale e Kosovës urdhëruar ndalimin policor për 48 orë ndaj personit S.G për shkak të dyshimit se ky person ka kryer veprën penale: “Përgatitja e veprës terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

SHKARKO APP