Ekzekutimi i biznesmenit në Tropojë, gjendet makina e djegur e autorëve
Është gjetur makina e djegur e autorit të dyshuar të vrasjes së Guxim Gjuriqit, ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen Partizani në Tropojë.
Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se makina e djegur e tipit “Ford”, e cila ka qenë pa targa, është gjetur në fshatin Golaj të Hasit.
Gjuriqi, i cili kishte në pronësi të tij një lokal dhe një pikë karburanti në Tropojë u ekzekutua me armë mbrëmjen e djeshme në ambientet e biznesit të tij, nga autorë që mbeten ende të paidentifikuar nga ana e policisë.
Policia ka ngritur disa pika kontrolli për zbulimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së Gjyriqit, po derimë tani nuk ka asnjë të shoqëruar.
Pritet të verifikohen kamerat e sigurisë që mund të ndodhen në zonë si dhe dëshmitarë të mundshëm.
Sipas dëshmive të para nga ana e banorëve në zonë, Gjyriqi njihej si një person i qetë dhe nuk kishte konflikte të hapura me persona të tjerë.
Ai ka qenë baba i dy djemve, dhe jeta e tij ishte e përqendruar kryesisht në dy bizneset e tij modeste, me të cilët siguronte dhe jetesën dhe të ardhurat e familjes.
Burime bëjnë me dije se Gjyriqi është kushëriri i Fatmir Haklajt, i cili ekzekutoi ish-liderin e lëvizjes së Dhjetorit, Azem Hajdari dhe më pas u vra dhe vetë në një atentat të mirëorganizuar në vitin 1999.
Kjo ngjarje u pasua nga një seri hakmarrjesh të tjera, që pothuajse shkretoi të gjithë burrat e fisit Haklaj.
/Faxweb.al