Ekzekutimi në Balldren të Lezhës, djali hakmerret për të atin pas 10 vitesh
Nëse për vrasjen e Genc Mhillit në vitin 2016 në malin e Jushit në Shkodër do të ishte bërë drejtësi, masakra e djeshme në Balldren të Lezhës mund të mos kishte ndodhur. Pas 10 vitesh, djali i Genc Mhillit u hakmor për vrasjen e babait të tij, pasi një nga autorët e dyshuar të vrasjes, Kreshnik Mujeci i kishte shpëtuar drejtësisë. Drekën e 26 prillit ai nuk i shpëtoi dot plumbave duke mbetur i vdekur në vend bashkë me gruan e tij 32-vjeçare. Policia shpalli në kërkim si autorë të dyshuar të krimit, Adriano Mhillaj, 22 vjeç, Florin Mhillaj, 36 vjeç dhe Renato Mhillaj, 23 vjeç.
Renato Mhillaj është djali i Genc Mhillajt, viktimës së vrarë në vitin 2016 në Shkodër, për një ngjarje për të cilën u akuzua dhe u gjykua Jozef dhe Kreshnik Mujeci, por në fund u shpallën të pafajshëm nga gjykata. Në atë kohë Renato Mhillaj kur iu vra babai ishte vetëm 13 vjeç. Pas 10 vitesh tashmë 23 vjeç ai ndodhet në kërkim për vrasjen e 39-vjeçarit Kreshnik Mujeci. Dy të tjerët në kërkim janë djem xhaxhallarësh të Renato Mhillajt.
Krimi është kryer për motive hakmarrjeje. Fisi Mhillaj ka zgjedhur të marrë hakun duke mos i besuar drejtësisë, por duke vepruar me kanun, pa kursyer as bashkëshorten e objektivit të tyre. Mujeci dhe bashkëshortja e tij u qëlluan me armë zjarri ndërsa ndodheshin brenda automjetit të tyre, kur po ktheheshin nga një drekë në Lezhë për të shkuar drejt banesës në fshatin Koljakaj. Autorët vepruan me dy automjete dhe ishin të pamaskuar. E gjithë skena e krimit është fiksuar nga kamerat e sigurisë pranë vendngjarjes duke e bërë më të lehtë zbardhjen e krimit nga policia. /A2cnn/
KOHA JONË SONDAZH

