Ekzekutohet në makinë pas sherrit në lokal i riu shqiptar në Itali
Një 25-vjeçar shqiptar është qëlluar për vdekje me armë zjarri në orët e para të mëngjesit në Itali.
Viktima është identifikuar si K.M, i cili u godit me plumba teksa ndodhej në automjetin e tij, në zonën e Montecalvolit, në provincën e Pizës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit të kësaj të shtune. Sipas mediave italiane, ekzekutimi dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti që i riu kishte pasur më herët në një klub nate në zonën e Valderës.
Në momentin e sulmit, M po udhëtonte me një mik. Ai ishte ulur në sediljen e pasagjerit kur, sipas hetimeve paraprake, një automjet tjetër është afruar pranë tyre dhe nga aty janë qëlluar disa të shtëna me armë zjarri. Pas sulmit, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Shërbimet e emergjencës mbërritën menjëherë në vend, por 25-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit dhe identifikimin e autorëve, ndërsa po shqyrtohen pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe dëshmitë e personave që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes.
KOHA JONË SONDAZH

