Elbasan, dy të plagosur nga të shtënat pranë gjykatës
Një efektive policie dhe një tjetër person kanë mbetur të plagosur me armë zjarri paraditen e kësaj të hëne në qytetin e Elbasanit.
Ngjarja ka ndodhur vetëm 300 metra nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan dhe të plagosur kanë mbetur Bledar Muça dhe Matilda Germezo.
Sipas informacioneve nga policia, autori i krimit ka qëlluar me breshëri automatiku, nga mjeti me të cilin udhëtonte, në drejtim të një tjetër mjeti, duke plagosur drejtuesin Bledar Muça dhe efektiven e policisë, e cila ishte kalimtare e rastit.
Burime ende të pakonfirmuara bëjnë me dije se, autori e ka ndjekur viktimën dhe teksa ka tentuar ta parakalojë, ka shtënë në drejtim të tij me automatik. Dyshohet se autorët kanë mbikëqyrur vendin e ngjarjes dhe, sapo kanë identifikuar autoambulancat, janë vënë në ndjekje të tyre deri në spitalin e Elbasanit për të përfunduar krimin.
Dëshmitarët në vendngjarje thanë se, së bashku me Bledar Muçën, në makinë ka qenë edhe një tjetër person, i cili dyshohet se është objektivi i vërtetë.
Ende nuk dihet për gjendjen e të plagosurve, por policia dyshon se ngjarja ka lidhje me disa vrasje të mëparshme të ndodhura në Elbasan. Krimet e Rënda kanë nisur hetimet dhe po punojnë për identifikimin e autorëve dhe kapjen e tyre, si dhe zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.
KOHA JONË SONDAZH

