Elbasani zgjohet me diell pas një nate plot magji, Dita e Verës vijon me miq e muzikë!

Elbasani feston Ditën e Verës, nga një natë plot emocione në një ditë të mbushur me traditë dhe muzikë

Pas një nate festive që elektrizoi qytetin, Elbasani vijon të festojë Ditën e Verës me një atmosferë akoma më të ngrohtë dhe plot traditë.

Sofra tradicionale elbasanase, e kthyer tashmë në një traditë të pandarë të kësaj feste, u shtrua në “Fish City”, ku kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, mikpriti personalitete të njohura, miq të qytetit dhe vizitorë të shumtë. Në qendër të kësaj sofre ishte ballokumja, ëmbëlsira simbol e Ditës së Verës, e cila u shijua nga të gjithë të pranishmit.

Ndërkohë, sheshi “Gensher” u kthye në një skenë gjigante muzikore, ku koncerti gala me emrat më të njohur të muzikës shqiptare si Alban Skënderaj, Soni Malaj, Anxhela Peristeri, Klint Çollaku, Englantina Toska dhe DJ, mbajti publikun të mbërthyer për orë të tëra.

Atmosfera festive ka pushtuar të gjithë qytetin, ku përveç koncerteve, janë organizuar edhe panaire me gatime tradicionale, artizanat dhe aktivitete të ndryshme kulturore. Trafiku i këmbësorëve ka pushtuar qendrën e Elbasanit, ndërsa me qindra vizitorë nga qytete të tjera dhe turistë të huaj, kryesisht gjermanë dhe italianë, po shijojnë mikpritjen dhe traditën unike elbasanase.

“Dita e Verës është festa që bashkon të gjithë shqiptarët, por Elbasani mbetet zemra e kësaj tradite. Kjo është dita kur qyteti ynë ndriçon më shumë se kurrë,” u shpreh kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja.

Festimet do të vijojnë gjatë gjithë ditës, duke e bërë Elbasanin kryeqendrën e gëzimit dhe atmosferës festive në mbarë vendin.

SHKARKO APP