Elia Zaharia për Pirro Manin: Arsyeja përse u dashurova me teatrin, na le bosh

Elia Zaharia ka reaguar lidhur me ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit të njohur Pirro Mani. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo shprehet e trishtuar, duke theksuar se ikja e gjeniut të skenës i la të gjithëve më të varfër. Sipas Zaharias, aktorët përjetonin lumturi kur interpretonin në pjesët e tij, përjetonin ekzaltimin që vjen nga dashuritë e mëdha.

Postimi i plotë

Sot arti humbi ikonën e regjisurës, artistin e madh, frymëzimin e brezave, Pirro Mani. Familja humbi njeriun e shtrenjtë. Ikja e gjeniut të skenës na lë të gjithëve më të varfër, na lë bosh. E kam të vështirë të gjej fjalët për Pirron, por di me siguri që krijimtaria e tij është një arsye përse u dashurova me teatrin. Energjia e tij ishte magji për skenën, ishte festë teatri i Pirros.

Aktorët përjetonin lumturi kur interpretonin në pjesët e tij, përjetonin ekzaltimin që vjen nga dashuritë e mëdha. Mjeshtër sa herë kemi përmendur teatrin shqiptar në kohët e tij më të ndritura, kemi thënë teatri i Pirro Manit.

Ngushëllime familjes së dashur, Pavlinës që do doja ta përqafoja fort me shumë dashuri, ngushëllime të sinqerta të gjithë kolegëve, atyre që e njohën, që e deshën, por edhe atyre që e adhuruan nga larg. Ngushëllime publikut të tij, publikut artdashës, ngushëllime çdokujt që e do dhe ka ndjeshmëri për artin shqiptar! Qofsh i dritës i shtrenjti artist i madh.

SHKARKO APP