Elisa Spiropali, projektohet nënkryetare e Bashkisë së Tiranës

Kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, shpalli pak momente më parë fitoren në garën për kryeqytetin, duke e cilësuar rezultatin si mbresëlënës. Në mesazhin e tij, Veliaj theksoi se nuk vjen në krye të Bashkisë së Tiranës për ta pushtuar atë, por për ta administruar. Veliaj shprehu mirënjohje për rivalin demokrat Halim Kosova, të cilin e ftoi bashkë me kandidatët e tjerë që të bashkëpunojnë në të mirë të kryeqytetit.

Krah Erion Veliajt, që fitoi Bashkinë e Tiranës ndodhet Elisa Spiropali, e cila deri pak kohë më parë ishte Drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave. Ajo dha dorëheqjen për arsye personale, siç tha, por përfshirja në fushatë krah Veliajt si dhe prania shumë pranë tij në momentin e fitores kanë shtuar zërat se do të jetë pikërisht Elisa Spiropali, një ndër dy nën-kryetaret e Bashkisë së Tiranës.

Para se të shpallte fitoren, Erion Veliaj priti të mbërrinin deputetët e Tiranës, që iu gjetën në krah gjatë fushatës elektorale për Bashkinë e kryeqytetit.

Saimir Tahiri, që drejton degën e Partisë së Tiranës, ishte i fundit.

Fjalët e para të mesazhit të fitores, Erion Veliaj ia dedikoi përgjegjësisë me të cilën kryeqytetasit e ngarkuan.

Në mungesë të Kryeministrit Rama që nuk ndodhej sot në seli, Veliaj, nuk harroi rezultatin në rang vendi, duke e cilësuar më mbresëlënësin e viteve të fundit.

Veliaj e kishte të qartë fitoren se mbështetja nga aleatët ka qenë e rëndësishme, ndaj i falënderoi të gjithë, duke filluar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, edhe pse aleati kryesor i PS-së vetëm një përfaqësues e kishte dërguar në festën e Erion Veliajt.

Nën-kryetari i dytë i kësaj partie mësohet se do të jetë pikërisht nga LSI.

Teksa Veliaj po përgatitet të marrë zyrtarisht drejtimin e Bashkisë së Tiranës, ai i kërkoi  administratës aktuale të Bashkisë, që të mos abuzojë me pushtetin gjatë ditëve të fundit të mandatit.

Pas mesazhit publik, mblodhi stafin, deputetët dhe kandidatët për këshilltarë bashkiakë në ambientet e brendshme të selisë së PS-së, ku vazhdon edhe festa e PS-së.

SHKARKO APP