Emigrantë drejt BE-së kundrejt fitimit, arrestohen katër persona në Fier
Policia e Fierit ka vënë në pranga katër persona të cilët akuzohen për dhënie shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Sipas policisë këta shtetas janë kapur në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, duke transportuar në bashkëpunim me njëri – tjetrin, me mjetet tip “Ford Fiesta” dhe “Benz”, 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit.
Njoftimi i plotë
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Tranzit”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
U kapën duke transportuar 3 emigrantë të paligjshëm, arrestohen në flagrancë 4 shtetas, njëri prej tyre me masën “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Gjatë operacionit janë sekuestruar një armë zjarri automatik dhe 153 fishekë luftarak, dy automjete dhe 4 aparate celular.
Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponja” në DVP Fier, finalizuan operacionin policor të koduar “Tranzit”, në përfundim të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
Xh. B., 25 vjeç, E. B., 25 vjeç dhe E. B., 30 vjeç, banues në Tiranë dhe K. T., 25 vjeç, banues në Fier.
Këta shtetas janë kapur në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, duke transportuar në bashkëpunim me njëri – tjetrin, me mjetet tip “Ford Fiesta” dhe “Benz”, 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit.
Shtetasi E. B., 25 vjeç ka dalë nga banesa duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të caktuar nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Nga kontrolli i ushtruar në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Tiranë, në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri automatik, 5 krehra automatiku me 153 fishekë luftarak.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.