Emigranti shqiptar në Britani: Në Has s’i fitoj dot 100 paund për 8 orë punë
Pse shqiptarët ikin në Britani, në një kohë që kjo çështje është kthyer në problem atje? Emigranti shqiptar që nuk dëshiron të identifikohet, tregon për ”Euronews”, arsyet që e çuan drejt kësaj rruge.
Ai thotë se kishte paguar 9 mijë euro për të kaluar nga Franca në Dover, të cilat i kishte marrë borxh. Emigranti nga Hasi, po ashtu i bën thirrje shtetit që të krijojë kushtet për të rinjtë që të mos marrin rrugët e botës dhe të jetojnë larg njerëzve të tyre, gjë që siç thotë askush nuk e dëshiron.
Emigrantët shqiptarë që shkojnë përmes rrugëve jo ligjore në Britani, do të dëbohen. Për këtë ministrja e Brendshme e Britanisë së Madhe, Priti Patel ka zhvilluar një takim me oficerët e policisë shqiptare të vendosur në Dover, me qëllim zbatimin e planeve të përbashkëta për largimin e emigrantëve shqiptarë që kanë hyrë në këtë vend me gomone.
Përmes një postimi në Twitter, Patel shprehet se ky plan do të trajtojë kriminalitetin e organizuar, migrimin e paligjshëm dhe do të synojë bandat kriminale.
“Dje u takova me Policinë e Shtetit Shqiptar për të zbatuar plane të përbashkëta operacionale për të larguar shqiptarët që kanë hyrë në MB me gomone. Shqipëria është një vend i sigurt dhe i begatë. Ky plan do të trajtojë kriminalitetin e organizuar, migrimin e paligjshëm dhe do të synojë bandat kriminale”, shkruan Pattel. Pretendohet se 6.000 nga 23.000 emigrantë që kanë arritur në Mbretërinë e Bashkuar janë nga Shqipëria.