EMIGRIMI I SHQIPTARËVE

Nga Brunela Beshaj

Shqipëria ka vuajtur gjithmonë nga plaga e emigracionit, pasi vitet e fundit po vihet re një tendencë në  rritje këtij fenomeni. Shtresa e popullsisë që është prekur më tepër janë të rinjtë, ata që janë janë e ardhmja, shtylla kurrizore ku do të mbështet vendi ynë. Dëshira gjithmonë e më e madhe e këtyre të rinjve që të largohen ka ulur në mënyrë të ndjeshme përmirësimin e ekonomisë së vendit. Sipas disa studimeve statistikore 79% e të rinjve të intervistuar, midis moshës 15-29 vjeç duan të largohen nga vendi. Nivelet kaq të larta të dëshirës për t’u larguar nga vijnë si pasojë e mungesës së tregut të punës. Sipas të dhënave nga Insituti i Statistikave (Instat), papunësia në radhët e të rinjve, gjatë 3 mujorit të dytë të vitit 2018, gjithmonë në grupmoshën 18-29 vjeç, ishte 22.6%, shifra këto që tregojnë situatën e rënduar të papunësisë në vend. Sigurisht për të kuptuar faktorët pse duan të largohen sa më parë nga Shqipëria, duhen analizuar që në zanafillë. Problemi shfaqet që në momentin kur këta të rinj fillojnë universitetin, që përveç lumturisë të fillimit të studimeve në një degë të cilën e kanë ëndërruar shumë , e cila mendohet t’u dhurojë një të ardhme pa probleme, përzihet me ankthin dhe shqetësimin se ku do të gjejnë punë pasi të kenë lënë bankat e auditorëve. Disa prej tyre do të punojnë në bizneset që ndoshta janë ngritur nga prindërit e tyre, disa të tjerë ndoshta do të kenë fatin që të “çajnë” në botën e profesionit për të cilin studiuan shumë vite, po pjesa tjetër e këtyre të rinjve ku do të përfundoj. Mundësitë që ndoshta do t’ju ofrohen do të jenë puna në call-center apo nëpër bare, sado student të zotë e të aftë të kenë qenë, këto do të jenë mundësitë e tyre të vetme. Një pjesë do të pranojnë të punojnë në këto vende që u ofrohen, disa të tjerë do zgjedhin rrugën më të vështirë, atë të largimit nga familjet, rrugën e emigrimit. Pikërisht shumica e të rinjve të intervistuar theksojnë se pas mbarimit të ciklit të studimeve, problemi që hasin është papunësia në masë. Kjo vjen ndoshta nga mungesa e politikave të duhura për punësimin e këtyre të rinjve të sapodiplomuar. Jo rrallë herë është vënë re fakti që këta të rinj shfrytëzohen vetëm si sfond në mitingjet e mëdha politike, me premtimin se do iu gjendet një vend i përshtatshëm pune dhe kur e gjithë kjo mbaron nuk gjejnë më mbështetjen e premtuar. Sipas një raporti nga shoqëria amerikane, Gallup, ku citohen të dhëna nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, tregojnë që Shqipëria pozicionohet ndër vendet e para në Europë përsa i përket papunësisë së të rinjve. Vendet e preferuara për të emigruar mbeten ato të Europës Perëndimore, mjafton të përmendësh këtu faktin që sot rreth gjysmë milion shqiptarë jetojnë ne Itali, komuniteti i dytë i huaj më i madh pas rumunëve. Mos të harrojmë këtu pa përmendur edhe Gjermaninë, e cila këto vitet e fundit ka njohur një rritje të fluksit të emigrantëve nga Shqipëria, shumica prej të cilëve të rinj, kryesisht të diplomuar në degën e infermierisë. Ata e shohin të ardhmen e tyre në këtë shtet, pa anashkaluar faktin që janë të informuar rreth vështirësive që i presin, gjithsesi janë të gatshëm të sakrifikojnë jetën pranë familjeve të tyre vetëm që të sigurojnë një punë. Disa prej të rinjve, por edhe shumë kryefamiljarë zgjedhin të emigrojnë drejt Anglisë, jo në mënyrë të rregullt ashtu sikurse drejt vendeve të zonës Shengen, por nëpërmjet një rruge akoma më të vështirë, asaj me kamion, kundrejt shumave të mëdha të lekëve, duke rrezikuar shpeshherë edhe jetën.

Një mundësi tjetër e artë për t’u larguar nga vendi është edhe Amerika, “toka e premtuar”. Të aplikosh për një vizë apo të fitosh llotarinë amerikane, mund të konsiderohet një ndër ëndërrat më të mëdha të shqiptarëve, bazuar kjo edhe në përqindjen e lartë të personave që aplikojnë çdo vit, shumica prej të cilëve janë përsëri të rinjë. Duhet vënë në dukje që nuk është vetëm grupmosha 18-29 vjeç ata të cilët zgjedhin emigracionin,por edhe moshat më të mëdha, rreth 35-45 vjeç. Këto persona zgjedhin më shpesh kontratat e punës 1- 3 muaj, për tu drejtuar vendeve te Europës, aty ku do të kenë mundësinë e një pune dhe page më të lartë se në Shqipëri. Ikja në masë e të rinjve, përveçse ka ndikuar në ekonomi, ka ndikuar gjithashtu edhe në moshën mesatare të popullsisë shqiptare. Nëse dikur Shqipëria përmendej për moshën e re të popullsisë, sot vihet re që popullsia është në plakje, si pasojë e emigracionit të të rinjve dhe uljes së numrit të lindjeve. Këto, por edhe për shumë arsye të tjera, shpresojmë që edhe shteti ynë, në një të ardhme jo shumë të largët, t’u u ofrojë shqiptarëve mundësi punësimi dhe kushte jetese ashtu si në vendet e tjera të zhvilluara, në mënyrë që edhe Shqipëria të lulëzojë ekonomikisht dhe jo vetëm…

SHKARKO APP