EMRAT/“Akomodonin në hotel emigrantë të paligjshëm”, arrestohen nënë e bir, në kërkim bashkëshorti
Policia e Korçës ka vënë në pranga tre persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi akuzohen për dhënie ndihmë ndaj personave të paligjshëm.
Burime për ABC News bëjnë me dije se aktiviteti i paligjshëm ushtrohej në Hotel “Relax”, që ndodhej në zonën e pazarit në Korçë. Në kërkim është shpallur pronari i hotelit Nazar Dvorani, ndërsa janë arrestuar bashkëshortja e tij Mirela Dvorani dhe djali Vasjan Dvorani, dhe bashkëpuntori i tyre Nevruz Demirllari.
Policia bën me dije se këta shtetas pronarë të një hoteli, akomodonin në objektin e tyre shtetas të huaj dhe më pas me bashkëpunëtorin e dyshuar të tyre, i transportonin drejt Tiranës me qëllime fitimi. Personi ne foto eshte pronali i hotelit që është shpallur në kërkim.
Korçë
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Agjencia”.
Operacioni pas një hetimi 1-mujor kryer në bashkëpunim me DVKM-Korçë, DVP-Tiranë, DVP-Elbasan dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit.
Arrestohen në flagrancë 3 shtetas dhe 1 tjetër shpallet në kërkim.
Midis tyre një çift bashkëshortësh dhe djali i tyre, pronarë të një hoteli, në të cilin akomodonin shtetas të huaj dhe më pas me bashkëpunëtorin e dyshuar të tyre, i transportonin drejt Tiranës me qëllime fitimi.
Nga strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, pas një hetimi 1-mujor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Agjencia” si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- M. D., 46 vjeçe, banuese në Korçë,
- V. D., 25 vjeç, banues në Korçë (djali i 46-vjeçares) i dënuar më parë për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
- N. D., 62 vjeç, banues në Tiranë,
Si edhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit :• N. D., 59 vjeç, banues në Korçë (bashkëshorti i 46-vjeçares) i dënuar më parë për “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Si rezultat i hetimeve të kryera rezulton se, këta shtetas kanë ndihmuar emigrantë të paligjshëm, fillimisht duke i akomoduar në ambientet e hotelit në pronësi të shtetases M. D., në lagjen nr. 9, Korçë, më pas djali i saj me mjetin tip “BMË-X5” në bashkëpunim me shtetasin N. D., i cili ka në pronësi një autobus transporti udhëtarësh të linjës Korçë-Tiranë, kryenin transportimin e tyre në drejtim të kryeqytetit.
Kundrejt fitimit deri në 100 euro (ku përfshihej akomodimi në hotel dhe transportimi drejt Tiranës) këta shtetas iu premtonin emigrantëve të paligjshëm, kalimin e tyre drejt vendeve të BE-së.
Në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë dhe Elbasan, u bë e mundur dokumentimi me prova ligjore edhe i disa ngjarjeve të tjera të kryera gjatë periudhës së hetimit, të aktivitetit kriminal të tyre në këtë fushë.
Gjithashtu nga Drejtoria Rajonale e Hetimit Tatimor, shtetasja M. D., është gjobitur me vlerën 50.000 lekë për punonjës të padeklaruar, të punësuar në hotelin e saj.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim më shumë se 1 herë” e cila dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet./abcnews.al