Energjia, Tahiri: Nuk jemi duke luftuar të pamundurit, por ata që vidhnin për shkak të arrogancës

Gjatë aksioni kombëtar kundër vjedhjes së energjisë elektrike që nisi në fund të tetorit 2014, janë vënë në pranga 853 persona, ndërsa më shumë se 130 mijë kontrolle janë ushtruar për të zbuluar abuzimet.

“Nuk jemi duke luftuar të pamundurit, por ata që deri dje vidhnin për shkak të arrogancës”, theksoi Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në aktivitetin ku u analizuan rezultatet e aksionit kombëtar kundër vjedhjes së energjisë elektrike.

Ministri citoi një denoncim nga një qytetar për një punonjës policie që vidhte energjinë megjithëse kishte një vilë luksoze, për të theksuar se duke vendosur ura komunikimi të forta me publikun, lufta ndaj paligjshmërisë do të bëhet më efektive.

“Kjo është një qasje strategjike, për të ndërtuar shtetin e të gjithëve, pavarësisht traditës së deridjeshmem, që e shtesëzonte shoqërinë. Ne kemi domosdoshmërinë për të ndërtuar fijet e besimit me qytetarët, sepse duhet t’i edukojmë qytetarët se para ligjit janë të barabartë të gjithë”, tha Tahiri.

Ministria e Brendshme është në mbështetje të gjithë strukturave, që luftojnë vjedhjen e energjisë elektrike.

“Nga nëntori e këtej është bërë një punë kolosale, por janë mbi 130 mijë kontrolle të Policisë me OSHEE, 853 autorë në flagrancë të arrestuar, 90 % e tyre janë pronarë biznesesh. E theksoj këtë shifër, se janë pikërisht këta që nuk janë as të varfër, por sipërmarrës, apo si ai polici me vilë superluksoze, ishin mësuar që për shkak të statusit ishin mësuar të vidhnin energjinë”, deklaroi ministri.

SHKARKO APP