Erion Veliaj: Ne kemi detyrë t’i ndërtojmë shkollat, të tjerët të përfundojnë shkollën

Ishte shkruar në disa media se Belind Këlliçi nuk ka mbaruar në rregull shkollen e mesme, por PD-ja e Berishës ka reaguar shpejt.

Ndërkohë kryebashkiaku ishte në zonën midis Astirit, Kasharit dhe Yzberishtit. Ai pa se janë gati terrenet për të ndërtuar 5 shkolla të reja. Dy prej tyre, të inkorporuara në një kampus të ri arsimor, do të ndërtohen vetëm në Astir. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i cili ishte në terrenin afro 10 mijë metër katrorë, të planifikuar nga Bashkia e Tiranës për këtë qëllim, ku së bashku me banorë të zonës mbolli edhe disa pemë, shpjegoi se si do të zhvillohet projekti, pjesë e lotit të 5 shkollave të reja në kryeqytet, dy prej të cilave në Kashar.

“Për të gjithë qytetarët që kanë pyetur veten, ‘çfarë është ky terren ne mes te Astirit, që është ruajtur i pa ndërtuar’ sot kemi një përgjigje: do të jetë terreni i shkollës së re. Në fakt, do të kemi dy shkolla të reja: një shkollë e bashkuar, por me hyrje të veçanta, 9-vjeçarja me gjimnazin. Kush ka parë shkollën “Kristo Frashëri” dhe “Vaçe Zela” apo “Kennedy” dhe “Nënë Tereza”, e di ekzaktësisht se për çfarë po flas, për një kampus që është rreth 10 mijë metra katrorë. Është lajm i jashtëzakonshëm,” u shpreh Veliaj.

Ai tha se ndërtimi i këtyre shkollave u shty për shkak të çmimeve të shtrenjtuara të materialeve të ndërtimit. “Ne patëm disa vështirësi vjet, që unë i kam pranuar edhe publikisht: rritja e çmimit të çelikut dhe të shumë prej produkteve e të artikujve, me të cilat ndërtohen shkollat, shkuan në një nivel stratosferik. Kjo do të thotë se kemi pritur për ta rilançuar garën për të ndërtuar shkolla të reja në Yzberisht, në gjithë zonën e Astirit dhe të Kasharit përsëri këtë vit. Ky është vetëm një nga tre terrenet. Në këtë terren do të kemi 9-vjeçaren dhe gjimnazin. Kemi një terren tjetër në Kashar, gjithashtu për 9-vjeçaren dhe gjimnazin dhe kemi gjithashtu, edhe një terren tjetër që është midis Lanës dhe Unazës,” deklaroi kreu i Bashkisë.

“Sot, – tha Veliaj, – modeli ynë është krejt tjetër”. “Patjetër që Tirana do ketë zhvillim, por më vjen mirë që ky zhvillim ecën bashkë me nevojat e komunitetit. Pasi ka mbaruar pallati privat kjo tokë 9800 metra katror i është kthyer Bashkisë së Tiranës për të ndërtuar një shkollë 9-vjeçare, një gjimnaz të jashtëzakonshëm, ashtu sikurse dimë ne të ndërtojmë”.

Në fund, jo pa ironi, Veliaj tha se, PS ka detyrim të përfundojë shkollat e fundit të premtuara, ndërsa të tjerët tha ai, të përfundojnë shkollën e të marrin diplomën. Ky aludim u mor nga mediat se e kishte fjalën për Belind Këlliçin.

“Sigurisht, të dyja palët duhen të mbajnë premtimet për shkollë, por një palë ka detyrim ta mbarojë shkollën për efekt diplome, kurse pala tjetër, që është pala jonë, ka detyrimin ta mbarojë shkollën për efekt të premtimit. Diferencë shumë e madhe midis shkollave që premtojmë dhe premtimeve që mbajmë. Mezi pres që, ashtu siç kemi bërë 40 shkolla, të bëjmë edhe këto 5 të fundit. Një nga arsyet pse Astiri dhe Kashari na ka dhënë këtë mbështetje është se janë të sigurt se kush i bën 40 e ca shkolla i bën dhe 5 të fundit. Ata që s’kanë bërë asnjë shkollë sa herë që kanë drejtuar Tiranën apo s’i kanë mbarur as shkollat e tyre nuk kanë shans të nxjerrin qimen nga qulli” e përfundoi Veliaj fjalën e tij.

 

Reagon PD:

Zëdhënësja e fushatës së opozitës për Bashkinë e Tiranës, Silvi Bardhi, reagoi pas fushatës së nisur nga mediat pranë Erion Veliajt në lidhje me shkollimin e Belind Këlliçit.

Ajo tha se kjo është një fushatë mashtrimi dhe shpifjesh. “Asgjë nga këto nuk i shërbejnë qytetit dhe banorëve të Tiranës.

Belind Këlliçi është i vendosur në rrugën e tij që sjell ndryshimin,” tha Bardhi.

Pjesë nga deklarata e PD se Berishës: 

Erjon Veliaj i cili në 8 vite la 160 mijë banorë të Tiranës, të zonës së Astirit, Liqenit të Thatë, Kodrës së Priftit, pa një çerdhe, pa një kopsht, pa një shkollë.

Erjon Veliaj që arsimin e kupton si një mundësi të mirë për tender, pasi jep për një godinë 3 herë më shumë para’ se sa Bashkimi Europian.

Erjon Veliaj që ka mbledhur 41 milionë euro nga taksa e infrastrukturës për arsimin, dhe nuk tregon se ku kanë shkuar këto para të qytetarëve të Tiranës.

Erjon Veliaj që një ambient të destinuar për shkollë ia hoqi qytetarëve të Tiranës dhe ia dha Bolinos, medias me të cilën fabrikon shpifjet e sulmet për interes të tij, medias që financohet edhe nga inceneratorët.

Ky, kryebashkiak pra, po gërmon së fundmi për shkollimin e Belind Këlliçit, dhe ka furnizuar mediat e tij me spekullime të ulëta.

Këtë komunikim po e bëjmë për qytetarët.

Kjo shkresë e Harri Fultz, tregon se Belind Këlliçi ka qënë nxënësi me mesataren 9.7 dhe nisur nga këto rezultate është zgjedhur dhe President i Këshillit Studentor ne vitin 2004.

Shkresa e shkollës, tregon se si në shumë raste të tjera, si një praktikë që e kanë ndjekur shumë nxënës për të vijuar studimet në SHBA, në Britani, apo Çeki, edhe në rastin e Belind Kelliçit, kjo ka ndodhur pas 4 viteve.

SHKARKO APP