Erion Veliaj betohet si kryetar i ri Bashkisë së Tiranës dhe konstituohet Këshilli Bashkiak

 

Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u betua sot përpara Këshillit Bashkiak të Tiranës. Pas zhvillimit të procedurave të konstituimit të Këshillit Bashkiak, përfaqësues të grupeve politike në këshill pritën në ambientet e jashtme të Bashkisë së Tiranës drejtuesin e ri të kësaj bashkie. Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pasi u betua, mbajti fjalën e parë si kryebashkiak, ku shprehu nevojën e bashkëpunimit me të gjitha palët për qytetin.

“Unë jam kryetari i bashkisë i çdo qytetari të Tiranës, i majtë apo i djathtë. Prandaj, sot ju shtrij dorën e bashkëpunimit të gjithë atyre që kanë diçka për të dhënë për këtë qytet. Sepse mund të jemi socialistë apo demokratë, por mbi të gjitha jemi qytetarë të Tiranës. Prandaj, le t’i futemi punës që sot. Sepse qytetarët presin shumë dhe katër vjet kalojnë sa hap e mbyll sytë. E kur të takohemi prapë bashkë pas 4 vjetësh unë nuk dua të vij përpara jush me një listë justifikimesh, por me një listë punësh të mbaruara. Me një qytet që mund të mos jetë i përkryer, por të paktën është më i mirë se ai që po trashëgojmë sot”, tha Veliaj.

 

Sekretari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Behar Zeneli, hapi mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, i cili, pasi lexoi emrat e të zgjedhurve të rinj në këtë këshill, ftoi anëtarin më të vjetër në moshë për të drejtuar mbledhjen deri në zgjedhjen e kryetarit të këtij këshilli.

 

Mbledhja u drejtua më pas nga z. Njazi Kosovrasti, i cili ftoi ngritjen e Komisionit të Mandatit me tre anëtarë të përbërë nga Eridan Salianji i propozuar Partia Socialiste, Bruno Liço propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Argyryna Jubani propozuar nga Partia Demokratike. Eridian Salianji, lexoi raportin e Komisionit të Mandatit sipas të cilit të gjithë mandatet e këshilltarëve janë konform ligjit. Më pas, të gjithë anëtarët e rinj të Këshillit Bashkiak të Tiranës kryen procedurën dhe firmosjen e formulës së betimit.

 

Mbledhja vijoi me ngritjen e Komisioni të Votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të Këshillit Bashkiak. Këshilltarët e mazhorancës propozuan z. Aldrin Dalipi, për të drejtuar Këshillin Bashkiak. Pas procesit të votimit, z. Dalipi u zgjodh kryetar i ri i Këshillit Bashkiak të Tiranës me 41 vota pro dhe 19 vota kundër. Në këtë proces morën pjesë 60 këshilltarë nga 61 që janë në total, pasi mungonte këshilltarja e zgjedhur nga Partia Demokratike, Kreuza Leka.

 

Në fjalën e tij përpara anëtarëve të këshillit Bashkiak, z. Aldrin Dalipi, tha se ky është një proces i rëndësishëm, që i jep vlerë dhe dimension jo vetëm Këshillit Bashkiak të Tiranës, por edhe qeverisjes aktuale në të gjithë Shqipërinë, pasi këshilli bashkiak është një shembull shumë i mirë për t’u ndjekur në të gjithë vendin. Ai theksoi se komunikimi në Këshillin Bashkiak të Tiranës do të vazhdojë me të gjitha palët pasi vetëm dialogu dhe qytetar jep mundësi që ajo që mund të bëjmë për Tiranën të kthehet në një model të shkëlqyer dhe që mund të ndiqet nga të tjerat.

 

Në këtë mbledhje, anëtarja e këshillit të PDIU, Vjollca Braho, u zgjodh në pozicionin e nënkryetares së Këshillit Bashkiak të Tiranës. Mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës e kanë ndjekur në sallë edhe krerët e pesë komuniteteve fetare në Shqipëri, Prefekti i Tiranës dhe Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore.

SHKARKO APP