Erion Veliaj poston video nga dita e parë e shkollës në Tiranë
Aktualitet Kryesore E Hënë, 12 Shtator 2022 08:53
Kryeministri Edi Rama dhe kreu i bashkisë Erion Veliaj kanë zgjedhur që mesazhet e urimit për nisjen e vitit të ri shkollor, t’i japin nga shkolla “Jeronim de Rada” në kryeqytet.
“Ky viti arsimor nis me gjeneratën e re të laboratorëve për mësimin e teknologjisë digjitale, të cilët fillimisht do të jenë 100 për t’u shtrirë hap pas hapi në të gjitha shkollat e vendit, ju uroj një javë të mbarë” – shkruan kryebashkiaku Tiranës.
Edhe kryeministri Rama foli për risinë e teknologjisë në këtë vit të ri shkollor.
“Janë 100 laboratorët e parë që ne i instalojmë në bashkëpunim me AADF. Ndërkohë kemi programin me Bankën Botërore dhe ndërkohë kemi edhe një plan që të mbështesim edhe ne nga pikëpamja buxhetore, duke bërë që i gjithë ky sistem të përhapet në të gjitha shkollat e vendit në një kohë të arsyeshme. Ajo që është themelore është që t’u japim mundësi më të rriturve që të hyjnë në një fazë të thelluar të kodimit dhe përmes asaj diturie të bëhen të aftë për një treg tjetër. Ne do t’i shtrijmë më tutje të gjitha programet e kodimit në bashkëpunim me sipërmarrjet në mënyrë që të krijojmë një shtresë komplet të re që ka filluar të formësohet, por ne do ta nxisim që brenda periudhe të kemi një numër të konsideruar të rinjsh, të cilët janë të punësuar në një treg komplet tjetër që është tregu i punës online dhe ka të ardhura shumë të larta”, tha Rama.