Erion Veliaj:Pas asnjë diskutim Parku bëhet gati më 1 qershor për fëmijët
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka postuar foto nga mbjellja e pemëve në parkun e liqenit artificial. Veliaj ka bërë të ditur se është mbjellë pema e 2500-të në park, duke thënë se me shoqërinë civile ka më tepër gjëra që e bashkojnë se sa e ndajnë.
“Ka më shumë gjëra që na bashkojnë se na ndajnë me shoqërinë civile, pemët e këndet e fëmijëve janë të dyja bashkuese.
Oferta jonë transparente: shoqëria civile të mbikqyrë punimet e matrikulojë çdo pemë tek Këndi i Lodrave, por puna do eci përpara!”, shkruan kryebashkiaku në Facebook.
Në fotot e publikuara, Veliaj shfaqet duke mbjellë edhe vetë fidanë.
Më pas, në një aktivitet me fëmijët te Parku i Liqenit, Veliaj përsëriti edhe një herë tjetër se këndi i lojrave do të ndërtohet dhe do të jetë gati në 1 qershor.
“Shoqëria Civile le të monitorojë punimet dhe të shohë sa pemë do të priten për ndërtimin e këtij parku. Qyteti do të ecë përpara dhe familjet duan të rrisin fëmijët në një qytet pa dhunë. Fëmijët janë qendra e vëmendjes së Bashkisë së Tiranës”, tha Veliaj.
“Nuk po mendoj për zgjedhjet e ardhshme, por për brezin e ardhshëm. Dua që fëmijët të rriten më mirë se më parë në qytetin tonë”, shtoi kryebashkiaku.