Është arrestuar këtë të diel Flodian Plaku, i njohur edhe me nofkën “Pole Qorri”
Orikum – 3 gusht 2025
Është arrestuar këtë të diel Flodian Plaku, i njohur edhe me nofkën “Pole Qorri”, i shpallur në kërkim prej muajsh si i dyshuar kryesor për vrasjen e Gentian Bejtjes në Fushë-Krujë, ngjarje e ndodhur në mars të këtij viti.
Plaku, 41 vjeç, me origjinë nga Vlora, ishte një emër i njohur për policinë shqiptare. Prej kohësh ai jetonte mes Greqisë dhe Italisë, ndërsa dyshimet e fundit tregonin se ai mund të ishte strehuar në Dubai. Por në fakt, ai është kapur në zonën e Orikumit, në jug të vendit, pas një operacioni të befasishëm të forcave të shumta policore.
Sipas burimeve zyrtare, gjatë ndalimit atij iu gjetën dy armë zjarri me vete, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë qenë i armatosur për t’iu shmangur arrestimit apo për të parandaluar një atentat të mundshëm.
Vrasje mafioze në prani të familjes
Gentian Bejtja, ish-punonjës policie, u ekzekutua në mënyrë mafioze në oborrin e banesës së tij në Fushë-Krujë, ndërsa po ujiste perimet në kopsht. Ngjarja ndodhi në prani të familjarëve të tij, duke tronditur opinionin publik dhe strukturat e rendit për mënyrën brutale të ekzekutimit.
Për këtë vrasje, Prokuroria ka çuar në gjyq edhe Ilir Beqarajn, i akuzuar për bashkëpunim në krim me autorin e dyshuar Plaku.
Hetimet për këtë ngjarje vijojnë, ndërsa pritet që arrestimi i Flodian Plakut të hedhë më shumë dritë mbi motivet e vërteta të ekzekutimit dhe lidhjet e mundshme me grupe kriminale brenda dhe jashtë vendit.
KOHA JONË SONDAZH

