EURO 2024/ Çfarë fitoi “marka” Shqipëri në kampionatin e tifozerisë?
Nga vallet, tupanët e qeleshet në sheshet gjermane te “betejat” me humor të ushqimit, tifozeria shqiptare duket se ka fituar kampionatin e saj, duke shkëlqyer në tre përballjet që Kombëtarja pati në EURO 2024. Rrugëtimi tashmë i mbyllur i ekipit të zemrës, lë pas ndër të tjera një shije më të mirë të “markës” Shqipëri, ku pikat më domethënëse kanë bërë xhiron e rrjetit. Nga ky rrugëtim pritshmëria është që efekti zinxhir të jetë vetëm pozitiv
Nertila Maho
“Shqipëria po kthehet në shtëpi nga EURO 2024, e fundit në grupin saj me vetëm një pikë, por këto fakte të thjeshta nuk tregojnë asgjë nga kontributi i saj i shkëlqyer në këtë turne në beteja të krahasueshme me Davidin dhe Goliatin, kundër tre skuadrave kryesore të këtij turneu”, – shkruante Reuters, vetëm pak orë nga mbyllja e ndeshjes së fundit të Kombëtares me Spanjën.
Jehona e skuadrës së Shqipërisë nuk ndali vetëm te momentet më domethënëse në fushë, ku më i lakuari ishte goli më i shpejtë në historinë e Europianëve, i shënuar nga Nedim Bajrami në sekondën e 23 të përballjes Shqipëri-Itali, pjesa tjetër më virale u bë tifozeria.
Në mediat ndërkombëtare është e vështirë të mos gjesh disa rreshta edhe për këtë. Pjesëmarrja e mijëra tifozëve që udhëtuan drejt Gjermanisë nga Shqipëria dhe anembanë botës për të ndjekur nga afër ndeshjet e Kombëtares, duke mbushur si fillim sheshet e qyteteve dhe më pas stadiumet, i ka lënë të mahnitur të gjithë.
Marka “Shqipëri”, e kompletuar me simbole, nga tupanët te qeleshja
Ngjyra kuqezi dominoi çdo grumbullim të tifozerisë shqiptare në qytetet në të cilat u zhvilluan ndeshjet ku luajti Kombëtarja Shqiptare.
Si fillim ishte Dortmundi, ku tifozeria shqiptare dhe ajo italiane përpara përballjes u argëtuan dhe kërcyen valle – një pamje që tërhoqi vëmendjen sidomos në rrjetet sociale.
Skena të ngjashme mes tifozerisë u panë edhe në Hamburg, në ndeshjen me Kroacinë apo edhe në Dyseldorf, në përballjen me Spanjën.
Së bashku me flamurin kuqezi, bluzat e kombëtares apo me simbole të Shqipërisë, në asnjë rast nuk munguan tupanët apo qeleshja, dy simbole të forta të identitetit tonë kombëtar që theksojnë edhe më shumë markën “Shqipëri”.
Grumbullime të tilla që përçojnë mesazhe pozitive me muzikë, valle e hare duket se i shërbyen tifozerisë shqiptare që ashtu si me pjesëmarrjen më të lartë në stadiume, të fitojë vendin si një ndër tifozeritë më fantastike.
“Loja” e torturës së ushqimit bën xhiron e botës nga spaghetti-t te flija
Videoja e një tifozi shqiptar që “torturon” një tifoz italian, duke e kërcënuar me thyerjen e spaghetti-t (makarona) bëri xhiron e botës duke hapur kështu mes tifozerisë EURO 2024 një trend të ri.
Videoja në fjalë tërhoqi vëmendjen në rrjete sociale dhe mediat ndërkombëtare, duke mos i shpëtuar as columnistit të “The Sun” Pierce Morgan, i cili shkruante se fansat kishin gjetur një mënyrë gjeniale për të torturuar njëri-tjetrin.
“Momenti gazmor i shkatërrimit të makaronave u bë shpejt viral në mediat sociale dhe ndezi një luftë të paprecedentë ushqimore, që është bërë një antidot i gëzueshëm për skenat e zakonshme të shëmtuara të huliganizmit, të cilat kanë shkatërruar shumicën e kampionateve europiane të mëparshme”, – do të shkruante Morgan.
Beteja e ushqimit u pasua edhe në të tjera përballje siç ishin austriakët me francezët, ku “Schnitzel është më i mirë se Bageta”, apo edhe përballja e fundit mes Spanjës dhe Shqipërisë, ku slogani ishte: “Flija është më e mirë se Paella”.
Kjo formë gazmore e përballjes miqësore të tifozerive ku Shqipëria nuk pati incident në asnjë rast, me asnjërën palë, ishte një tjetër pikë plus në “markën” e përgjithshme të Shqipërisë.
Konflikti “Ballkanik” e gjen rrugën edhe në EURO 2024
Teksa tifozeria shqiptare ishte në harmoni të plotë me tifozeritë e atij që u quajt “Grupi i Vdekjes”, duket se nuk u ka shpëtuar penalizimeve. Si fillim ishte ndeshja me Italinë, ku hedhja e fishekzjarrëve dhe flakadanëve, si formë festimi, i kushtoi Federatës Shqiptare të Futbollit disa mijëra euro.
Konkretisht, Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA gjobiti FSHF në shumën 37,375 euro.
Konkretisht, Komisioni vendosi një gjobë 10.000 euro për ndezjen e fishekzjarrëve, 12,375 euro për hedhjen e sendeve, 5000 euro për pushtimin e fushës, 10.000 euro për transmetim e mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive.
Kur kishin kaluar vetëm pak ditë, një tjetër gjobë erdhi për FSHF pas ndeshjes me Kroacinë, në shumën 47 mijë e 500 euro, ku shkak ishin të njëjtat arsye si në ndeshjen e parë.
Federata e Serbisë kërcënoi se do të largohej nga kampionati nëse UEFA nuk merrte masa për Shqipërinë dhe Kroacinë, pasi sipas saj, në përballjen e këtyre skuadrave, tifozeritë e dy vendeve kanë kënduar këngë kundër serbëve.
Tensionet ballkanike në një formë apo në një tjetër e kanë gjetur rrugën e tyre në kampionat, por sidomos në rrjete sociale, ku bëhet një betejë e ashpër, e cila gjithsesi nuk ua zbeh shkëlqimin efekteve pozitive që sjellin turnetë sportivë dhe përçimi i mesazheve pozitive që bëhet gjatë tyre.
Në kampionat nuk mungon as Kosova, EURO 24 thirrje për njohjen e pavarësisë
Kosova nuk ka munguar në EURO 2024 as prej tifozerisë së zjarrtë, ku një pjesë e atyre që mbushën stadiumet janë shqiptarët e diasporës së Kosovës, por as në fushë, ku me kombëtare të huaja luajnë djem që kanë rrënjët e origjinës në këtë shtet.
Në përballjen me Spanjën, që pritej të kishte edhe një vëmendje të madhe, duket se shqiptarët kanë vendosur të prekin pika delikate gjeopolitike, por edhe ndërgjegjësimi.
Për shembull, në një nga banderolat që vareshin në stadium e cila bëri xhiron e rrjetit, kërkohej që Spanja të njohë pavarësinë e Kosovës.
“Spanjë ne të duam, por kemi nevojë për tre pikë. Të lutem Spanjë, njih pavarësinë e Kosovës, nuk do të humbasësh asgjë, përkundrazi do të fitosh një mik të vërtetë. Respekt” – thuhej në banderolë.
Përballja e tifozëve në fushë, Shqipëria triumfon
Kombëtarja shqiptare u përball me tre titanë të futbollit që kanë qenë ose janë kampionë në fuqi të Europianit, ndaj kalimi i fazës së parë në grup ishte në kufirin e një mrekullie.
Por duket se tifozët e ekipit kombëtar janë po aq të pasionuar pas futbollit, duke arritur që të përballeshin denjësisht në fushë me tifozeri të tjera në një turne të organizuar në Frankfurt. UEFA dhe Federata Gjermane e Futbollit organizuan më 22 qershor një turne për fansat e futbollit, ku morën pjesë 8 ekipe nga Europa, ndër to edhe Shqipëria.
Drejtoria e Futbollit Amator në FSHF, në bashkëpunim me disa tifozë shqiptarë, krijoi ekipin e tifozëve të Shqipërisë, që mori pjesë në këtë turne të formatit 9×9.
Në grupin e Shqipërisë, shorti përcaktoi edhe skuadrat e Anglisë, Italisë dhe Ukrainës.
Në ndeshjet e luajtura në këtë grup, kuqezinjtë triumfuan, duke fituar 4-0 me Italinë, mposhtën 2-0 Ukrainën dhe me rezultatin 3-0 ndaj Anglisë.
Në gjysmëfinalet e këtij turneu historik të zhvilluar në ambientet e Federatës Gjermane të Futbollit në Gjermani, Shqipëria mundi Skocinë me rezultatin 4-0, duke siguruar kështu finalen e madhe përballë vendit organizator, Gjermanisë.
Çfarë fiton Shqipëria, nga vëmendja pozitive në EURO 2024
Shqipëria është në një moment historik në lidhje me imazhin e saj ndikuar sidomos nga promovimi ndërkombëtar për aspektin turistik.
Përballja e Kombëtares së saj në EURO 2024, një nga turnetë më të rëndësishëm sportivë, e ka ekspozuar vendin në një tjetër dimension që e shumëfishon efektin pozitiv, shto këtu tashmë edhe pikët plus mbi tifozerinë.
Më herët, në një intervistë për “Monitor”, Edlira Mali, Pedagoge e Marketingut dhe Menaxhimit të Markës në Universitetin Bedër, do të nënvizonte se cilat janë në fakt përfitimet reale që merr vendi nga një ekspozim i tillë.
“Kampionati Europian është një fuqi mediatike. Rritja e mbulimit mediatik dhe interesit publik do të vijë edhe për shkak të lojës kundër skuadrave kampione dhe të forta si Spanja, Italia, Kroacia. Çdo ndeshje, çdo gol, çdo intervistë me lojtarë dhe tifozë shqiptarë bëhet reklamë për Shqipërinë.
Pamjet e fushave të tyre të stërvitjes, festimet pasionante në tribuna dhe pamjet e trashëgimisë së pasur kulturore të Shqipërisë mund të ndezin dëshirën e udhëtimit tek audienca.
Le të imagjinojmë një tifoz kroat, i mahnitur nga shpirti i ekipit shqiptar, fillon të kërkojnë në internet informacione rreth Shqipërisë dhe turizmit të saj dhe vendos të shtojë Shqipërinë në listën e tij të udhëtimeve.
I entuziazmuar nga intervista e trajnerit shqiptar pas ndeshjes kur flet edhe për eksperiencën e tij në Shqipëri, një tifoz spanjoll e konsideron seriozisht një udhëtim në këtë vend interesant dhe ua rekomandon dhe miqve të tij në bisedat që bëjnë në grupet online, ose në bisedat rreth Euro 2024 gjatë kafesë së mëngjesit.
Ky marketing organik “word of mouth” nëpërmjet shikuesve të entuziazmuar mund të ketë ndikim të qëndrueshëm në industrinë e turizmit në Shqipëri, duke nxitur rritjen e tij.
Kjo mund të çojë në përfitime ekonomike për Shqipërinë, si tërheqja e turizmit, ose krijimi i mundësive të bashkëpunimit në sektorë të ndryshëm.
Për shembull, sipas një studimi të Komisionit Europian të Udhëtimit, UEFA Euro 2016 në Francë rriti kërkesën turistike për vendin pritës me 1.3%, dhe për vendet pjesëmarrëse me 0.8%.
Prandaj, Shqipëria mund të përfitojë nga ky efekt, duke ofruar paketa udhëtimi tërheqëse, duke krijuar përmbajtje tërheqëse dhe informuese, si dhe duke krijuar partneritete me agjencitë e udhëtimit dhe grupet mediatike” do të nënvizonte Mali.
Shqipëria në mediat e huaja
Nga goli më i shpejtë te tifozët fantastikë, Shqipëria befason në Euro 2024
Shqipëria kthehet në shtëpi pas Euro 2024, e renditur në fund të grupit, me vetëm një pikë, por këto fakte, nuk tregojnë asgjë për kontributin e saj të shkëlqyer në përballjet emocionuese kundër tre prej skuadrave kryesore të kampionatit.
Trajneri brazilian i Kombëtares, Sylvinho, nuk do ta kishte imagjinuar kurrë se sa mirë do të niste pjesëmarrja e Shqipërisë në turneun e dytë të rëndësishëm të futbollit, ku Shqipëria ka marrë pjesë deri më sot.
Nga fishkëllima e parë, Shqipëria bëri tre pasime, Italia gaboi një rivënie dhe Nedim Bajrami ndërhyri duke goditur topin në rrjetë në 23 sekonda, duke shënuar golin më të shpejtë në Europian.
Delir në mesin e dhjetëra mijë tifozëve të veshur me të kuqe në Dortmund, kaos në lokalet dhe shtëpitë e kryeqytetit shqiptar, Tiranë – dhe një moment i pavdekshëm për kombin krenar ballkanik.
Italia shënoi më pas dy gola, por Shqipëria këmbënguli deri në fund, për pak sa nuk barazoi, duke shpërthyer ovacione në stadium dhe duke ngritur vetullat në mbarë botën, për një ekip që askush nuk i kishte dhënë shpresë.
Kundër Kroacisë në ndeshjen e radhës të Grupit B, Shqipëria i emocionoi sërish tifozët e saj, pasi sfidoi parashikimet, duke barazuar 2-2 me një gol në sekondat e fundit, në një nga ndeshjet më emocionuese të turneut.
Në ndeshjen e tretë, një humbje e ngushtë 1 – 0 nga Spanja, ata ishin më të përmbajtur. Megjithatë, i vunë disa herë në vështirësi kundërshtarët e tyre të shquar, me Jasir Asani dhe Kristjan Asllani.
Shumë krenarë!
“Në përgjithësi e konsideroj një paraqitje pozitive në këtë turne, – tha kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti. – Gjithçka është e mundur në futboll dhe, me pak fat, ne mund të kishim bërë më mirë”.
Sylvinho, i cili solli kolegun brazilian Doriva dhe argjentinasin Pablo Zabaleta, për të punuar përkrah tij në Tiranë, nuk ka keqardhje.
Ai foli me emocion se si ekipi i tij, i ri dhe i papërvojë, është përmirësuar gjatë një viti e gjysmë nën drejtimin e tij dhe është krenar për paraqitjen e skuadrës, që ishte pjesë e një grupi të frikshëm, që e ka lënë pa gjumë për net të tëra.
“Nëse kthehemi pas në kohë, gjashtë muaj më parë, shumë njerëz mendonin se do të pësonim tre, katër ose pesë gola në çdo ndeshje. Nuk ndodhi kështu – tha ai. – Jemi përballur me tre kombëtare të mëdha”.
Federata ambicioze Shqiptare e Futbollit, shpreson që përvoja në Gjermani t’i shërbejë për të ardhmen, me pjesëmarrje më të rregullta në finale.
Një gjë për të cilën mund të jenë të sigurt, është mbështetja e jashtëzakonshme.
Shumë u befasuan kur panë shqiptarët në numër më të madh se italianët në ndeshjen hapëse, dhe kjo vazhdoi gjatë gjithë ndeshjes, zhurma dhe ngjyra e tifozëve përputheshin me numrin e madh të tyre.
Disa erdhën nga shtëpia, të tjerë nga diaspora globale shqiptare.
“Nëse ka një trofe për tifozët, atëherë ne tashmë e kemi fituar atë” – tha Faton Shkodra, 33 vjeç, duke kërcyer në një shatërvan me miqtë në Hamburg, pas ndeshjes me Kroacinë, të mbështjellë me flamujt e kuq, me simbolin e shqiponjës dykrenore.
“Ne jemi shumë krenarë për lojtarët tanë, ata janë shumë krenarë për ne”.
/ Reuters / Monitor