Euro të falsifikuara në qarkullim, prangoset i riu në Durrës
Një 24-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Durrësit, pasi dyshohet se përdorte kartëmonedha të falsifikuara euro për të kryer blerje dhe pagesa në biznese të ndryshme.
Sipas policisë, operacioni i koduar “Përdorimi” u zhvillua pas një denoncimi për një rast mashtrimi të ndodhur në një pikë karburanti në fshatin Sinaballaj të Rrogozhinës. Hetuesit dyshojnë se shtetasi me iniciale M. Rr., 24 vjeç, kishte furnizuar automjetin e tij me karburant dhe më pas kishte kryer pagesën duke përdorur kartëmonedha euro të dyshuara si të falsifikuara.
Nga veprimet hetimore rezultoi se i riu kishte paguar me tre kartëmonedha me prerje 20 euro, të cilat dyshohet se nuk ishin të vërteta. Pas identifikimit dhe lokalizimit të tij, shërbimet e policisë kanë bërë arrestimin në flagrancë.
Gjatë kontrollit fizik të 24-vjeçarit, në portofolin e tij janë gjetur edhe 10 kartëmonedha të tjera me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara. Në total, autoritetet kanë sekuestruar 13 kartëmonedha false, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve përkatëse.
Sipas policisë, operacioni u realizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe nën drejtimin e Prokurorisë.
Materialet procedurale i janë referuar organit të akuzës për vijimin e hetimeve të mëtejshme. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të zbardhur nëse 24-vjeçari ka vepruar i vetëm apo në bashkëpunim me persona të tjerë, si dhe për të identifikuar raste të tjera të mundshme të përdorimit të kartëmonedhave të falsifikuara.
KOHA JONË SONDAZH

