Euro vendos rekorde të njëpasnjëshme, ja me sa u këmbye sot

Monedha e përbashkët ka shënuar sërish rënie në tregun e brendshëm gjatë ditës së sotme, ndonëse ritmet e nënçmimit janë ngadalësuar në krahasim me ditët e mëparshme. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 126.61 lekë, me një rënie prej 0.03 lekësh në krahasim me ditën e mëparshme.

Vetëm gjatë kësaj javë, euro ka humbur 0.53 lekë, duke e monedhën e përbashkët në një tjetër rekord të ulët të këtyre 10 viteve, në nivele që nuk ishin parë që nga muajt e parë të vitit 2009.

Për pesë muajt e parë të këtij viti, mesatarja e këmbimit të monedhës së përbashkët ishte 130.9 lekë, më e ulëta që nga viti 2008, kur mesatarja e vitit ishte 122.8 lekë. (për 2009-n, mesatarja e këmbimit për gjithë vitin ishte ishte 132.1 lekë), për tu ngjitur pastaj vitet e mëpasshme në rreth 139-140 lekë, përpara se të fillonte sërish rënien në gjysmën e dytë të vitit 2016.

Vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti, euro ka rënë me 6.5 lekë, ose 4.8%. Arsyeja kryesore mbetet offerta më e lartë sesa kërkesa. Oferta sipas ekspertëve vjen nga kanalet formale (investimet, remitancat, shërbimet si turizmi, apo bizneset e call center dhe forex) dhe informale, që po kanalizohen përmes tregut të pasurive të paluajtshme. Një tjetër faktor që vlerësohet të ketë ndikuar rënien e fortë në muajin e fundit janë transaksionet e bankave për konvertimin e kapitalit nga euro në lekë, ndikim që pritet të jetë afatshkurtër.

Më të prekur nga kjo situatë rezutojnë eksportuesit, të cilët edhe gjatë ditës së sotme i kanë kërkuar Bankës së Shqipërisë që të analizojë efektet që po jep zhvlerësimi i monedhës së përbashkët në aktivitetin e tyre si dhe të gjenden shkaqet e kësaj rënieje, që sipas tyre nuk reflekton ecurinë normale ekonomike. /Monitor/

SHKARKO APP