Eurodeputeti bullgar nga Korça: Protestat paqësore duhen dëgjuar, Shqipëria mbetet pranë BE-së
Eurodeputeti bullgar Andrey Kovatchev vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërsa komentoi edhe protestat masive që po zhvillohen në vend, duke theksuar se zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe se dialogu politik mbetet thelbësor.
Gjatë një deklarate për mediat nga Korça, Kovatchev u shpreh se Parlamenti Europian pritet të miratojë javën e ardhshme në Strasburg raportin vjetor të progresit për Shqipërinë, duke vlerësuar ecurinë e vendit në procesin e integrimit.
“Ne e mirëpresim progresin e bërë nga Shqipëria. Është shumë pozitive që të gjitha partitë politike shqiptare mbeten të përkushtuara ndaj integrimit europian”, deklaroi ai.
urodeputeti bullgar nënvizoi se Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen vendet më të avancuara në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe shprehu shpresën që ato të jenë pjesë e zgjerimit të ardhshëm të bllokut europian.
I pyetur nëse protestat mund të ndikojnë në rrugëtimin europian të Shqipërisë, Kovatchev tha se institucionet europiane po ndjekin me vëmendje zhvillimet, por theksoi se zgjidhja e çështjeve të brendshme i takon klasës politike shqiptare.
“Ne po monitorojmë nga afër çdo zhvillim. Është përgjegjësi e klasës politike në Shqipëri që të respektojë standardet dhe legjislacionin, veçanërisht në aspektin mjedisor, por ne nuk do të ndërhyjmë në politikën e brendshme të vendit”, u shpreh ai.
Duke folur për protestat, Kovatchev tha se ato janë pjesë e funksionimit të demokracisë, për sa kohë zhvillohen në mënyrë paqësore.
“Është mirë që të dëgjohet zëri i popullit, nëse gjithçka zhvillohet në mënyrë të qetë dhe paqësore. Thirrja jonë është që si mazhoranca, ashtu edhe opozita të dëgjojnë njëra-tjetrën dhe të gjejnë zgjidhjen më të mirë për qytetarët”, deklaroi eurodeputeti.
Sipas tij, interesi më i madh i qytetarëve shqiptarë mbetet anëtarësimi sa më i shpejtë në Bashkimin Europian, në një kohë kur Europa dhe rajoni përballen me sfida të shumta gjeopolitike.
Kovatchev vlerësoi gjithashtu rolin e Shqipërisë si aleate e NATO-s, duke shtuar se vendi është në rrugën e duhur për t’u bërë pjesë e familjes europiane në një të ardhme të afërt.
Në fund, ai i bëri thirrje qeverisë që të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve dhe të respektojë standardet ligjore e mjedisore, ndërsa kërkoi bashkëpunim konstruktiv mes forcave politike për të avancuar proceset integruese të vendit.
KOHA JONË SONDAZH

