“Europa e lirë”: Hidhet në erë makina e 30 vjeçares, Daria Dugina, vajza e njeriut proPutin

Nga radio “Europa e Lirë”-

Daria Dugina, 30 vjeç, analiste politike dhe vajza e Aleksandër Dugin – i konsideruar “ideologu i Putinit” – vdiq pas shpërthimit të makinës së saj në periferi të Moskës. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës me 20 gusht, rreth orës 21:45 me orën lokale pranë fshatit Velyki Vyazomi, 20 kilometra në perëndim të kryeqytetit rus.

Sipas informacioneve paraprake, gruaja drejtonte një makinë “Toyota Land Cruiser Prado” në pronësi të babait të saj, në të cilën nuk kishte pasagjerë të tjerë. Pas shpërthimit, disa dëshmitarë thanë se makina u përmbys dhe doli nga rruga. Trupi i djegur i viktimës u gjet nga ekipet e shpëtimit që mbërritën në vendngjarje. Në disa video të publikuara në internet shihet Dugin i dëshpëruar, me duart në kokë, pak metra larg makinës që digjej.

Për momentin, hipoteza më e mundshme është se bëhet fjalë për një atentat: sipas disa burimeve, vetë Dugin u angazhua në një konferencë me temë “Tradita dhe historia” pranë Moskës në mbrëmje, në të cilën mori pjesë edhe Daria Dugina si e ftuar. Ai duhej të ishte në makinë me vajzën e tij, komentuesen televizive, por në fund vendosi të udhëtonte me një makinë tjetër.

Aleksandër Dugin, këshilltar i disa politikanëve, është një filozof rus i njohur për pikëpamjet e tij anti-perëndimore, të ekstremit të djathtë dhe “neo-Euroaziatike”. Vitet e fundit ai është cilësuar nga mediat perëndimore si një nga frymëzuesit e politikës së jashtme të Vladimir Putinit, ndërsa shtypi rus e konsideron atë një “figurë margjinale” për pikëpamjet e tij “të konsideruara tepër radikale edhe nga nacionalistët”. Në vitin 2014-të ai u shkarkua nga Universiteti Shtetëror i Moskës pas thirrjes së tij për të “vrarë” ukrainasit.

Në Moskë, hetuesit kanë hapur një hetim mbi vdekjen e Darya Duginas. Të njëjtët hetues të Departamentit të Hetimeve të kryeqytetit rus, deklaruan se nga hetimet e para, duket e mundshme që në automjetin Toyota Land Cruiser të jetë vendosur një mjet shpërthyes.

Në mars, Departamenti Amerikan i Zyrës së Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja e sanksionoi Duginën për kontributin e saj në një artikull në faqen e internetit United World International (UWI) që sugjeronte se Ukraina do të “shkatërrohet” nëse pranohet në NATO. Dugina ishte kryeredaktore e UWI.

Në foto: Darya Dugina ishte një analiste politike për Lëvizjen Ndërkombëtare Euroaziatike, e cila drejtohet nga babai i saj, Aleksandër Dugin

SHKARKO APP