Evakuohen gjithë pasagjerët nga trageti
Rojet bregdetare italiane dhe greke, përmes një postimi në Twitter shkruajnë se tashmë janë evakuar të gjithë pasagjerët nga trageti që u përfshi nga flakët ditën e djeshme. Pas largimit të pasagjerëve në bord ndodheshin vetëm 9 persona të ekuipazhit për tu kujdesur për anijen. Nërkohë, mësohet se edhe pjesa e mbetur e ekuipazhit është evakuuar nga anija. Edhe komandanti i tragetit është evakuuar rreth orës 15:30 minuta.
Përmes një postimi në Twitter Marina ushtarake italian konfirmon se janë evakuar 419 persona. Numri zyrtar i personave që kanë humbur jetën në tragetin “Norman Atlantik” është 5. Shifra është publikuar nga kryeministri italian Mateo Renzi. Një viktimë është shënuar ditën e parë. Ndërsa sot nga deti janë nxjerrë dhe trupat e pajetë të 4 personave të tjerë. Trupat janë gjetur në ujërat territoriale greke, dhe janë vendosur në anijet e shpëtimit greke. Identiteti i viktimave ende nuk është bërë i ditur.
Renzi: Faleminderit Shqipërisë e Greqisë. Ne bëmë një punë të jashtëzakonshme
Kryeministri Italian Renzi në një deklaratë për shtyp duke konfirmuar se janë 5 të vdekur. “Mësuam për 4 të vdekur të tjerë, duke shkuar në 5 numrin e viktimave” . Ai falënderoi autoritetet shqiptare e greke që u angazhuan në këtë operacion. Një falënderim të veçantë autoriteteve italiane “Ju falenderoj vërtetë. Keni bërë një punë të jashtëzakonshme”, tha Renzi. Kryeministri italian tha se brenda pak orësh do të përfundojë operacioni i shpëtimit për gjithë personat që janë në bordin e anijes. Ndërkohë që kushtet e motit në brigjet italiane janë ende të këqija. Sipas kreut të qeverisë italiane nga anija janë ende pa u evakuuar 60 persona.
Lajmi për gjetjen e 4 personave pa jetë është konfirmuar dhe nga ministri grek i Marinës, Miltiadis Varvisiotis. Ministri grek tha se trupat janë gjetur në ujë.
Kodheli: 22 shqiptarët janë evakuuar. Po presim identifikimin e 4 viktimave
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli në një konferencë për media nga selia e Kryeministri dha sot detaje për operacionin e shpëtimit të pasagjerëve në anijen “Norman Atlantic”. Ajo konfirmoi se 22 pasagjerët shqiptarë që ndodheshin në anije janë evakuuar.
“Dua të falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në këtë operacion. Operacioni u bë në situatën të vështirë, deti 7-8 Ballë, erën e madhe. Më vjen mirë që pothuajse ka përfunduar me evakuimin e shqiptarëve dhe padyshim të gjithë pasagjerëve të tjerëve”,- tha Kodheli.
Ajo vlerësoi punën e bërë nga marina shqiptare dhe ekuipazhet e dy anijeve që janë përfshirë në operacion. “Nga informacionet e fundit që kam, kanë humbur jetën 5 personave. Një qytetar grek dje dhe 4 të tjerë sot. Komandën e operacionit e drejtoi partneri ynë Italia, me tre anije luftarake. “San Giorogo” ishte anija që mori komandën. Pjesë e operacionit ishte anija jonë “Butrinti”, e cila ishte në operacion për 14 orë. Pas kthimit të saj është nisur në operacion anija jonë, “Lissus”. Dua të falënderojë djemtë e ekuipazhit në punën e jashtëzakonshme që kanë bërë”,- u shpreh Ministrja Mimi Kodheli.
Ministria e Jashtme vendos numrin e kontaktit
Ndërkohë Ministria e Punëve të Jashtme vendosi sot në dispozicion të familjarëve të pasagjerëve që ndodhen në bordin e tragetit “Norman Atlantic” numrin e kontaktit: +355 69 935 6685. “MPJ do të informojë opinionin publik për ecurinë e evakuimit të shtetasve shqiptarë hap pas hapi”,- thuhet në njoftimin e MPJ.
Dyshimet: “Zjarr në anije mund të jetë i qëllimshëm”
Media italiane raportojnë se zjarri në traget mund të jetë një “akt terrorist për të mbytur tragetin me 478 njerëz?” Ka filluar te qarkulloje edhe ky variant ne mediat italiane. Pra një dorë e fshehtë ka tentuar që të mbysë tragetin me 478 udhëtarë, duke e djegur atë dhe që të mbytet në ujë. Ende nuk ka prova për një variant të tillë të ngjarjes.
Prokuroria e Barit në Itali ka nisur hetimet për zjarrin që përfshiu tragetin “Norman Atlantic”. Deri më tani bilanci i incidentit në anije rezulton me 5 viktima. Prokurori Giuseppe Volpe, përpara se të largohej nga zyrat e kapitanerisë së portit tha se zjarri mund të jetë i qëllimshëm. Hetimet po vijojnë me intensitet, në mënyrë që të zbardhen rrethanat e ngjarjes së rëndë. Vepra penale që ka nisur Prokuroria e Brindisit është “Tentativë Vrasje”.
KOHA JONË SONDAZH

