“Faik Konica” sjell veprën e plotë të Azem Shkrelit, në 28-vjetorin e ndarjes nga jeta
Nga Albert Vataj
Një rikthim në përjetësi dhe një testament poetik i gjallëruar në fjalë
Në 28-vjetorin e ndarjes nga jeta, Azem Shkreli nuk është vetëm një kujtim i nderuar, por një prani që zgjatet dhe ngjitet më lart në panteonin e kulturës shqiptare. Ai është rikthyer në jetën e adhuruesve, në përjetësinë e leximit dhe mëkimit estetik, më i gjallë se kurrë, sepse fjala e tij nuk njeh vdekje.
Shtëpia botuese “Faik Konica” e Prishtinës, me përkujdesjen e studiuesit të njohur Anton Nikë Berisha dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka përmbyllur një nga nismat më të plota dhe të përkushtuara editoriale të letërsisë shqipe: botimin e veprës së plotë të Azem Shkrelit, në shtatë vëllime, duke përmbledhur të gjithë opus-in e tij krijues – nga poezia, proza dhe drama, te publicistika, eseistika, intervistat dhe të dy versionet e romanit “Karvani i bardhë”.
Ky botim nuk është vetëm një ngjarje kulturore – është një akt kujtese dhe një kthim solemn i Shkrelit në qendër të jetës sonë shpirtërore dhe letrare. Është një homazh i përmasave institucionale dhe një ftesë për lexuesin bashkëkohor për t’u përballur me një poezi të thellë, filozofike dhe dramatike, që u përket të gjitha kohëve.
Azem Shkreli, i lindur më 1938 në Rugovë dhe i ndarë nga jeta në vitin 1997, është një nga figurat qendrore të letërsisë moderne shqipe. Ai nuk ishte vetëm poet i fjalës së vrullshme dhe përflakur, por edhe drejtues i rëndësishëm kulturor – drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë (1970–1973) dhe më pas themelues e drejtor i “Kosovafilmit” (1975–1990), institucionit që hodhi themelet e kinematografisë kosovare. Vepra e tij poetike është përshkuar nga tensioni midis dhimbjes dhe sublimitetit, nga vetëdija historike dhe përpëlitja për ekzistencë. Poezia e tij është një akt i vazhdueshëm përshpirtjeje, një betejë me vetveten dhe me tragjiken kombëtare.
Ai na mësonte, dhe vazhdon të na mësojë:
“Mos u bëj poet nëse s’mund të lindësh/me secilin varg, të lindësh me secilën fjalë…”
Sot, më shumë se kurrë, këto vargje tingëllojnë si një kredo krijuese, si një urdhëresë morale e një shpirti që kërkoi jo vetëm të shkruante, por të digjej në çdo rrokje të fjalës. Azem Shkreli është prej atyre poetëve që nuk mund të lexohen thjesht; ata duhen ndjerë, dëgjuar, mbajtur në gjak dhe frymë. Fjalët e tij janë gurë të rëndë të një identiteti që është ngritur mbi rezistencën, dashurinë e dhimbshme dhe etjen për dritë.
Romani “Karvani i bardhë”, i cili përfshihet në dy versione në këtë botim të ri, është dëshmi e forcës narrative të tij, një metaforë e përjetshme e rrugëtimit të kombit, e barrës së historisë dhe e një shprese që udhëton nën qiellin e trazuar të Kosovës. Ky roman është ndër të rrallët që arrin të gërshetojë simbolikën poetike me rrëfimin historik, duke qëndruar si një pikë kulmore në letërsinë e rezistencës shqiptare.
Kjo vepër e plotë e Azem Shkrelit është jo vetëm një arkiv i kujtesës letrare, por edhe një testament shpirtëror për brezat që vijnë, një thirrje për të mos harruar dhe për të mos hequr dorë nga fjala, nga e bukura, nga ajo që i jep kuptim njeriut përballë dhunës dhe harresës.
Dhe kështu, në këtë përvjetor, nuk është Shkreli që vjen tek ne, por ne që ngjitemi drejt tij, duke e rilexuar jo për nostalgji, por për jetë, për frymë, për ndriçim.
KOHA JONË SONDAZH

