Familja e Sami Duqit në fshatin Pëllumbas merr pronësinë e shtëpisë së re
Një tjetër familje nga fshati Pëllumbas hyri sot në shtëpinë e re, të rindërtuar pas tërmetit. Sami Duqi mori dokumentet e pronësisë nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili e uroi për shtëpinë e re dhe premtoi se si kjo familje do të përfitojnë të gjitha familjet e tjera. Ai tha se puna për të rindërtuar të gjitha banesat e dëmtuara nga tërmeti është treguesi më i qartë i diferencës që ekziston mes atyre që komentojnë nëpër rrjete sociale dhe atyre që kanë zgjedhur të japin një kontribut konkret.
“U jam mirënjohës atyre që kontribuan, e them me gjithë zemër! Ka shumë që flasin, komentojnë dhe japin mend, por ka shumë pak nga ata që bëjnë diçka konkrete. Ka një diferencë mes atyre që flasin dhe atyre që bëjnë. Ju jeni nga ata që bëjnë. Keni dhënë një shembull fantastik për të gjithë ata gjithologë, që japin mend, por nuk e prishin rehatinë e tyre në Facebook. Ju keni vendosur të lini një shenjë! Shpresoj shumë që shembullin tuaj ta ndjekin edhe të tjerët”, nënvizoi Veliaj, duke falenderuar biznesin që kontribuoi për rindërtimin e shtëpisë së familjes Duqi.
Ai nënvizoi se rindërtimi do të vijojë me të njëjtën frymë në çdo cep të qytetit, i cili po i rikthehet normalitetit pas protestave. “Kam lënë porosi që qyteti t’i rikthehet normalitetit, pas asaj jave traumatike që patëm me protestat. Do të zëvendësohet çdo semafor, çdo pllakë, çdo gur, sigurisht edhe çdo zbukurim. Do të rivendosim pemën e Vitit të Ri për fëmijët dhe vogëlushët e Tiranës. Kësaj here do ta dekorojmë edhe me 25 yje që simbolizojnë 25 mjekët heronj, të cilët ranë në betejën me pandeminë. Kështu, kujtojmë sakrificën e tyre dhe u shprehim mirënjohjen tonë”, deklaroi ai.
Veliaj tha se gabon kush mendon se mund t’i imponohet qytetit me dhunë. “Ka parti politike që mund ta vjedhin përkohësisht qetësinë tonë, siç ndodhi me ata që stimuluan dhunën dhe përdorën fëmijët për të dhunuar, por ju siguroj se në këtë qytet dhe në këtë shtet nuk e vjedh kush gëzimin, nuk i vjedh dot kush festat, nuk e vjedh dot kush optimizmin e fëmijëve. Vitin do ta mbyllim me këtë energji pozitive, për të harruar të gjitha problematikat që lamë pas. Kush mendon se mund të imponohet me dhunë, e sfidoj e i them: Bëj një gjest të mirë, ço një pako me ndihma në një familje, punëso dikë, trego mirësi e solidaritet ndaj dikujt, sepse festat janë për të kujtuar vlerat që kemi si qenie njerëzore”, tha Veliaj.
Deputeti i PS, Xhemal Qefalia tha se edhe familjet e tjera, të cilat ende nuk janë futur në banesat e tyre, do të marrin shumë shpejt çelësat në dorë. “Dua t’u bëj apel edhe të tjerëve, nuk do t’i braktisim, siç u qëndruam pranë në momente të vështira kur ra tërmeti. Me përkujdesjen e kryeministrit, është bërë e mundur që të sigurohet fondi edhe për shtëpi të tjera”, tha ai.
Banesa e familjes Duqi në Pëllumbas është 3+1, e cila u rindërtua jo vetëm më e fortë, por edhe shumë herë më e mirë se e vjetra. Për ndërtimin e saj kontribuoi shoqëria “Kaso” sh.p.k, e cila iu përgjigj menjëherë apelit të kryebashkiakut Veliaj për të ndihmuar në procesin e rindërtimit.