Familjarët e Kacifas ndalohen në ceremoninë për ushtarët grekë, motra shpërthen në akuza: Turp për qeverinë shqiptare!
Familjarët e ekstremistit të minoritetit grek Kostandinos Kacifas nuk janë lejuar të marrin pjesë në ceremoninë e nderimit të ushtarëve grekë të rënë në luftë me italianët. Gazetarja Brikena Metaj raportoi për “BalkanWeb” se ata kishin përgatitur një baner me emrin e Kacifas dhe datën e vrasjes, por policia i ka ndaluar të hyjnë në ceremoni.
Motra e Kostandinos Kacifas ka folur për mediat duke hedhur akuza të forta. Ajo tha se policia rrethoi babain e saj sapo panë foton e të vëllait dhe e mori në pyetje.
“Kisha frikë mos ishin të armatosu. Turp, skandal për qeverinë shqiptare se ne jemi grekë autoktonë. Jemi në tokë greke. Populli nuk ka faj, e kanë fajin drejtuesit e shtetit”, janë disa nga fjalët e motrës së Kostandinos Kacifas.
Ajo ka kërkuar të zbardhet e vërteta. Sipas motrës, sot është dita e Kostandinos Kacifas. Më pas motra ka shkuar bashkë me prindërit në fund të ceremonisë duke ngritur zërin sërish dhe hedhur akuza ndaj shtetit shqiptar. Ajo ka thënë se kanë vuajtur nga sistemi i Enver Hoxhës dhe po vuajnë akoma. Thirrjeve të saj dhe familjarëve të tjerë ‘Kacifa jeton, ti na drejton’ nuk i është bashkuar asnjë nga të pranishmit në ceremoni.
35-vjeçari u vra më 28 tetor të vitit të kaluar pasi hapi zjarr ndaj forcave të policisë shqiptare. Tre ditë më parë në nderim të tij, qindra shtetas grekë erdhën në Shqipëri dhe kryen homazhe në Bularat, ku nëna e Kacifas bëri thirrje për luftë.
Dhjetëra qytetarë grekë, të afërm të ushtarëve të vrarë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke udhëtuan drejt Shqipërisë për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të ditës së sotme.
Ceremonia e përvitshme përkujtimore në nder të kësaj dite festë kombëtare e Greqisë e njohur si Jo-ja greke (to megalo oxi) zhvendoset çdo vit edhe në Shqipëri, ku humbën jetën një numër i madh ushtarësh grekë gjatë luftimeve me forcat fashiste italiane.
/BalkanWeb