Fashistja që kërkon ndalimin e emigracionit, gati të bëhet kryeministre e Italisë

Giorgia Meloni, kryetarja e partisë Fratelli d’Italia, i ka kushtuar shumë rëndësi të qëndruarit në ndërtesën historike, ku kanë hyrë e kanë dalë pasuesit dhe ish-udhëheqësit fashist Benito Mussolini. Ajo ka një qëndrim të përcaktuar ndaj historisë, ku për të diktatori Mussolini ka qenë një personalitet i shumëanshëm.

Meloni nuk ka një distancim nga fashizmi. Në autobiografinë e saj ajo shkruan, se është e vetëdijshme, që politikisht po ecën në një fushë të minuar. “Ne jemi fëmijë të historisë sonë. Të të gjithë historisë sonë. Si për të gjitha kombet e tjera rruga jonë është ajo që ne kemi përshkuar, komplekse, shumë më e ndërlikuar, nga sa ne duam ta tregojmë”. 

Pas saj qendron logoja e Fratelli d’Italia: një flakë e stilizuar me ngjyrat italiane. Kjo flakë e përjetshme në kuptimin figurativ flakëron në varrin e Mussolinit. “Unë s’kam asgjë, për t’u shfajësuar në jetën time. Por në një nga tre diskutime televizive më kërkohet të flas për historinë dhe jo për politikën aktuale. Kjo nuk është e drejtë”.

Giorgia Meloni, lindur në vitin 1977, kur ishte nxënëse vetëm 15 vjeç u antarësua në frontin e rinisë të partisë neofashiste MSI, për të dhënë një shenjë kundër terrorit të së majtës ekstreme në ato vite në Itali. Më vonë ajo drejtoi unionin studentor të ekstremit të djathtë dhe më 2006 u zgjodh deputete në parlamentin italian.

Më 2008 ajo ishte ministrja më e re e Italisë. Në moshën 31 vjeç ajo drejtoi Ministrinë e Rinisë në qeverinë e Silvio Berlusconit. Përpara dhjetë vjetësh Giorgia Meloni themeloi partinë “Fratelli d‘Italia”, kryetare e së cilës është që nga viti 2014. Më 2020 ajo mori edhe kryesinë e grupit të partive europiane “ECR”, ku bën pjesë ndër të tjera edhe partia polake PiS.

Në Europë kryetarja e “Fratelli d’Italia” synon që Italia të drejtojë për ta reformuar BE-në në një union ekonomik më të çlirët. Presidenti i Francës Emmanuel Macron është dobësuar, pasi i mungon shumica në parlament. Kancelari gjerman Olaf Scholz është i pasigurtë, u shpreh së fundi në një intervistë me RAI-n, Giorgia Meloni. Scholz nuk ka të njëjtën forcë si paraardhësja e tij Angela Merkel, thotë ajo. Ndaj ajo lë të kuptohet, se synon të japë drejtimin. Meloni është e martuar me një gazetar televizioni, i cili tregon kujdes për të krijuar imazhin e saj të ri serioz.

SHKARKO APP